Macron s’do ta emërojë Qeverinë e re deri pas Olimpiadës

Macron s’do ta emërojë Qeverinë e re deri pas Olimpiadës

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se nuk do ta emërojë Qeverinë e re deri pas përfundimit të Lojërave Olimpike të Parisit.

Komentet vijnë pasi Fronti i Ri Popullor (NFP) – një koalicion i krahut të majtë që përbën grupin më të madh në Parlamentin francez, pas zgjedhjeve të fundit – propozoi zyrtaren pak të njohur, Lucie Castets, si kandidate për kryeministre.

Duke iu përgjigjur kësaj, Macron tha se emërimi i Qeverisë se re para mesit të gushtit, “do të krijonte parregullsi”.

Politikanët e krahut të majtë thanë se Macron po përpiqet “të anulojë rezultatin e zgjedhjeve legjislative”, rundi i dytë i të cilave u mbajt më 7 korrik.

Lojërat Olimpike do të nisin të premten dhe do të përfundojnë më 11 gusht.

Macron e ka pranuar dorëheqjen e kryeministrit Gabriel Attal, pas humbjeve të mëdha të partisë së tyre të qendrës në zgjedhje.

Megjithatë, Attal dhe ministrat e tij janë pajtuar që të mbeten në detyrë, në formën e një qeverie të përkohshme, derisa të emërohen zëvendësuesit e tyre.

Sipas sistemit francez, kryeministri emërohet tradicionalisht nga presidenti./rel

Shpërndaje në: