Macron do të presë Biden në Paris më 8 qershor
Presidenti amerikan, Joe Biden, do të zhvillojë vizitën e tij të parë në këtë pozitë në Francë, ku do të takohet me homologun e tij francez Emmanuel Macron.
Lajmi është bërë me dije fillimisht nga Ambasada franceze në SHBA dhe më tej është konfirmuar edhe nga vetë Macron, i cili ka publikuar një njoftim në X, ish-Twitter, ku tregon kënaqësinë për vizitën e pritshme të Biden.
Kjo vizitë pason atë të Macron në Washington, zhvilluar në vitin 2022, por është e veçantë edhe për kohën kur zhvillohet, pasi kemi të bëjmë me një situatë të ndërlikuar në Ukrainë në Gaza.
“Ndërsa lufta është kthyer në kontinent 80 vjet pas Çlirimit të Evropës, presidentët do të diskutojnë mbështetjen e tyre të palëkundur dhe të qëndrueshme për Ukrainën.
Ky koordinim i ngushtë do t’i paraprijë samiteve kryesore, veçanërisht samitit të G7 në Bari dhe samitit të NATO-s në Washington”, shkruhet në njoftimin e selisë diplomatike franceze për takimin.
Diskutimet po ashtu do të fokusohen në forcimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në çështjet ekonomike, hapësinore dhe ato bërthamore.
Së fundi, ata do të trajtojnë veprime të përbashkëta në përgjigje të sfidave globale, veçanërisht emergjencës klimatike dhe mbrojtjes së biodiversitetit.