LVV u mundua “ta shes” si punë të qeverisë projektin në Dukagjin, analisti Muharremi: Është financim nga Komisioni Evropian, mos ia merrni fytyrën partisë suaj
Analisti Shenoll Muharremi ka thënë se projekti për përmirësimin e sistemit të ujitjes në Radoniq-Dukagjin është e financuar nga Komisioni Evropian, e jo nga qeveria.
Ai thotë anipse se është kohë e zgjedhjeve, por nuk është hera e parë që po përvetësohet investimi i tjerëve.
Postimi i plotë:
Djem, ky nuk është një financim dhe punë e qeverisë. E kuptoj që është kohë zgjedhjesh, por nuk është hera e parë që përvetësohet investimi i tjerëve. Kjo është jo etike, tepër. Ju jeni zyre e komunikimit dhe ndoshta propagandës, por LVV besoj nuk janë hajna me ja përvetësu djersën dhe meritat e dikujt që të ndihmon. Mos ja merrni fytyrën partisë tuaj dhe Kosovës. Kur investon një mik i Kosovës, qytetarët e një vendi mik, ne duhet me qenë mirënjohës. Me ju thënë faleminderit dhe me tregu kush na ka ndihmu, jo me i mohu! Vet Kryeministri Albin Kurti ka deklaru sot se “..në Lugbunar, me rastin e nisjes së punimeve të projektit për modernizimin dhe përmirësimin e sistemit të ujitjes Radoniq-Dukagjin. Projekti ka vlerë 9.15 milionë euro, është i financuar nga Komisioni Evropian dhe zbatohet nga Banka Botërore.” E kjo i bjen sikur me të ndihmu dikush, me ta ndërtu shtëpinë, e ti me thënë ‘vet e kam ndërtu’ mos me përmend fare atë që të ka ndihmu. Nëse e qesim vetën në vendin e atyre që na kanë ndihmu kishim me thënë ‘nuk po ju ndihmojmë më këtyre, se nuk po ta dinë për ndër’. Të bëhemi më serioz ju lutem, Kosova nuk është pronë e një partie, por e njerëzve të saj. Askush nuk duhet me bë veprime që e cenojnë dobitë e tjerëve e shumicës.