LVV-ja rikonfiguron përbërjen e komisioneve parlamentare pas largimit të tre deputetëve

LVV-ja rikonfiguron përbërjen e komisioneve parlamentare pas largimit të tre deputetëve

Mazhoranca ka votuar për zëvendësimin e deputetëve të cilët kanë qenë anëtarë në komisionet parlamentare, por që janë larguar javë më herët nga Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Transfere janë vendosur Nijazi Isaku dhe Shqipe Isufi, duke zëvendësuar Visar Korenicën dhe Eman Rrahmanin.

Në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe në Komisionin Parlamentar për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve, në vend të Drita Millakut janë vendosur Jetmire Vrenezi dhe Milazim Salihaj. Gjithashtu, në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike, në vend të Korenicës është vendosur Besim Muzaqi.

E në prag të zgjedhjeve parlamentare, partinë në pushtet e kanë braktisur tre deputetë. Përveç Millakut, që tani është pjesë e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), javë më parë nga LVV-ja janë larguar edhe dy deputetët konservatorë të këtij subjekti politik. Rrahmani dhe Korenica i janë bashkuar Listës për Familjen.

Ndryshe, legjislativi kosovar ka hyrë në një periudhë të rëndësishme ndërsa përgatitet për zgjedhjet parlamentare që mbahen më 9 shkurt 2025, në një kohë kur përplasjet mes grupeve politike dhe polarizimi i skajshëm kanë arritur në nivele të reja, duke krijuar një atmosferë të tensionuar para pak më shumë se tre muaj nga cikli elektoral.

Shpërndaje në: