LVV e la anash pak çështjen e Urës së Ibrit, sot u ‘shfryh’ tek PDK duke i akuzuar për rastin e Astrit Deharit

LVV e la anash pak çështjen e Urës së Ibrit, sot u ‘shfryh’ tek PDK duke i akuzuar për rastin e Astrit Deharit

Akuzë pas akuze pati sot mes partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Krejt kjo nisi me konferencën e VV-së.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka implikuar ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendarin Kadri Veseli, në rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Në konferencën e mbajtur para Prokurorisë Speciale lidhur me rastin “Dehari”, Kurteshi i ka cilësuar Thaçin e Veselin si “majë të shtetit” që sipas tij, e kanë pranuar se Dehari është vrarë.

Kurteshi ka thënë se të përfshirë në “inskenim” të këtij rasti kanë qenë edhe Policia, Prokuroria dhe AKI-ja.

“Urdhri ka qenë politik nga maja e shtetit, fatkeqësisht në atë kohë nga presidenti i vendit dhe kryekuvendari që edhe në mjete të informimit kanë pranuar se është vrasje rasti i Deharit dhe ata kanë dhënë urdhër të drejtpërdrejt për veglat e tyre në Prokurori, Gjykatë, AKI e Polici për ta inskenuar rastin”, ka thënë ai.

I menjëhershëm ka qenë reaimi i PDK-së.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se kjo është e papranueshme dhe e turpshme.

Ai i ka kërkuar Qeverisë që të ndalë “lojërat dhe propagandën politike” me rastin Dehari, teksa ka thënë se Vetëvendosje ka dorë në moszbardhjen e këtij rasti

“Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tre vjet në pushtet, gjatë të cilëve nuk është bërë asgjë për të zbardhur rastin Dehari, përkundrazi Instituti i Mjekësisë Ligjore është djegur dy herë, sot LVV vendosi të organizojë një konferencë për media para Prokurorisë Speciale, duke kërkuar drejtësi për Astrit Deharin. A është kjo drejtësia që keni premtuar qytetarëve të Kosovës dhe familjes Dehari? Kjo është e papranueshme dhe e turpshme”, ka shkruar Gruda në Facebook.

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka quajtur “të turpshme dhe kriminale” mospërmendjen e faktit se gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, nuk u përmend humbja e mostrave të Deharit në IML, e as djegia e këtij instituti.

“Ndjej dhimbje në shpirt për Astrit e Arbnor Deharin. Për prindërit e tyre, për gjithë familjen e tyre. Drejtësia duhet të shkojë deri në fund. E turpshme dhe kriminale që sot Sami Kurteshi në emër të LVV-së nuk e përmendi faktin se në kohën kur këta vetë po qeverisin kanë ndodhur edhe ngjarje tjera lidhur me këtë rast. Në konferencën që sapo përfundoi Vetëvendosje nuk tha asnjë fjalë për humbjen e mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore që është nën menaxhimin e Ministrisë së Drejtësisë. Asnjë fjalë për djegien e Institutit të Mjekësisë Ligjore”, ka shkruar ajo.

Kujtojmë se po hyjmë në vitin e tetë të vdekjes së Astrit Deharit, e në pushtet tash e gati katër vjet qëndron Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, ende nuk është zbardhur ky rast në tërësi./Periskopi

 

Shpërndaje në: