Lulëzon nepotizmi: Burbuqe Hana në heshtje e avancon vëllain në një pozitë të lartë në Telekom
Burim Hana, vëllai i kryeshefes së Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, duket se është afër shpërblimit me një pozitë të lartë në ndërmarrjen publike ku është funksionare motra e tij. Gazeta Insajderi raporton se ai është vlerësuar si i preferuari i komisionit përzgjedhës në pozitën e menaxherit në Departamentin “Analiza, Strategjia e Marketingut dhe Planifikimit”, duke lënë jashtë dy kandidatë të tjerë për të njëjtën pozitë.
Komisioni përzgjedhës, i përbërë nga njerëz të deleguar nga kryeshefja Hana, ka lënë jashtë garës Fatmir Rushitin dhe Burim Krasniqin. Ky i fundit, siç raporton mediumi, është tërhequr nga gara përpara përzgjedhjes së Burim Hanës.
Kundërkandidati i vëllait të Burbuqe Hanës, Fatmir Rushiti, ishte pjesë e departamentit të marketingut që nga 2015-a në Telekom. I njëjti ishte edhe i përzgjedhuri i ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë për drejtor të bordit në Infrakos.
Sipas dispozitave ligjore, kandidatët kanë të drejtë prej 10 ditësh që të deponojnë ankesat e tyre.
Lidhur me kandidatin në fjalë dhe mundësinë e ndikimit të motrës së tij – Telekomi pati deklaruar për mediumin se një i punësuar nuk duhet të ketë privilegj, por as të pamundësohet të konkurrojë.
“Lidhur me pyetjen konkrete për privilegjin/përfitimin e mundshëm të z. Burim Hana, nga fakti se motra e të njëjtit aktualisht është Kryeshefe Ekzekutive e TK, konsiderojmë se një i punësuar nuk duhet të ketë privilegj, por as të pamundësohet të konkurrojë apo zgjidhet në ndonjë përgjegjësi vetëm për faktin se ka familjarë në pozitë drejtuese në kompani”, u tha në përgjigjen e tyre.
Ditë më parë është raportuar edhe për avancimin e Violeta Namanit, mikeshë e Burim Hanës, në pozitën e Menaxherit të Departamentit për Shitje dhe Kujdes me Konsumator Individual.
Insajderi raportoi po ashtu për emërimin e dy miqve të kryeshefes ekzekutive. Ekrem Cervadiku, pa eksperiencë menaxheriale, u avancua në pozitën e menaxherit kryesor të Departamentit të Burimeve Njerëzore në ndërmarrjen publike Telekomi i Kosovës ndërkaq Pranvera Shala, po ashtu pa përvojë menaxheriale, u avancua në pozitën e menaxheres në Departamentin e Marketingut.