Luka Modriç: Mjeshtri i vogël që po e dërgon Kroacinë në gjysmëfinalen e dytë
Menjëherë pasi Kroacia mposhti Brazilin me penallti, kapiteni i tyre 37-vjeçar, Luka Modriç, po ngushëllonte një lojtar brazilian që kishte humbur penalltinë: shokun e skuadrës në Real Madrid, Rodrygo, 21-vjeçar. Në mars, Rodrygo e kishte uruar me shaka Modriçin “Gëzuar Dita e Babait”.
Modriç e përqafoi Rodrygon, duke i thënë: “Kjo do të të bëjë më të fortë. Të gjithë bëjnë gabime. Unë të dua.” Më pas, pasi ngushëlloi disa brazilianë të tjerë, ‘vogëlushi’ u largua për t’u përgatitur për gjysmëfinalen e së martës kundër Argjentinës. Nëse ai arrin ta dërgojë vendin e tij në finalen e dytë radhazi në Kupën e Botës, dhe këtë herë ta fitojë atë, ish-refugjati do të arrinte ndoshta fitoren më të jashtëzakonshme në historinë e garës, duke marrë parasysh se Kroacia ka vetëm 3.9 milionë banorë. Në fund të fundit, futbolli tani është më konkurrues globalisht sesa kur Uruguai i vogël fitoi Kupat e Botës në vitet 1930 dhe 1950.
Modriç ka lindur në vitin 1985 në Zadar në bregdetin dalmat, ndoshta rajoni më pjellor në botë për futbollistë. Fëmijëria e tij e lumtur në fshatin malor u shkatërrua gjashtë vjet më vonë nga luftërat jugosllave. Serbët vranë gjyshin e tij të dashur, diçka për të cilin Modriçi ende vuan të flasë. Familja e tij jetonte si refugjate në hotele, duke dëgjuar rënien e bombave. Ai mësoi të luante futboll në oborrin e asfaltuar të Hotel Kolovare. “Futbolli ishte padyshim një mënyrë për të dalë nga gjithçka që po ndodhte rreth nesh”, tha ai për Captains, dokumentari i publikuar në tetor nga FIFA, trupi qeverisës i futbollit botëror.
Kur ai u transferua nga Dinamo e Zagrebit i Kroacisë te Tottenham Hotspur në vitin 2008, shumë prisnin që Premier League e Anglisë të shtypte maestron 1.72 metra që dukej si një grua që pastronte rrobat. Por në futboll, në mënyrë kundërintuitive, e vogla është e bukur. Një lojtar i shkurtër – njejt si Leo Messi i Argjentinës – mëson të lëvizë topin përpara se të ndërhyjnë kundërshtarët e mëdhenj. Me hapa më të vegjël, lojtari i shkurt mund të kthehet dhe të përshpejtojë më shpejt.
Në vitin 2012, Modriç u transferua në Real Madrid. Ta fitosh një Champions League është e vështirë. Modriç i ka fituar pesë të tillë në Madrid. Për vite me radhë ai, Toni Kroos dhe Casemiro (me të cilin i ndërroi fanellat pas pjesës së parë të çerekfinales) formuan mesfushën më të sigurt të futbollit. Falë teknikës së tij pothuajse perfekte, Modriç mund të pranojë pasime edhe kur është i rrethuar nga kundërshtarët, të skanojë fushën në vend që të shikojë topin nga poshtë dhe të marrë atë që latinët e quajnë “pausa” përpara se të pasojë. Trajneri i tij fizik, Vlatko Vucetiç, shpjegon: “Ai sheh tri ose katër mundësi të ndryshme, truri i tij spontanisht analizon situatën e shumë lojtarëve rreth tij dhe më pas ai shpejt merr një vendim.” Mjeshtëria e Modriçit në pjesën e jashtme të këmbës së djathtë e bën atë efektivisht me tre këmbë. “Është shumë e lehtë për të luajtur me të,” thotë bashkombësi i tij, Lovro Majer.
Në vitin 2018, Kroacia arriti në finalen e Kupës së Botës, për të humbur 4-2 kundër Francës. Në lëvizje të vazhdueshme për të qenë gjithmonë pranë topit, Modriç u shpall lojtari i turneut. Ekipi fluturoi për në shtëpi drejt e në polemika, kur ata festuan në një koncert me këngëtarin ekstremist nacionalist Thompson, pseudonimi i të cilit vjen nga automatiku. Si jashtë fushës si në të, Modriç është i rrethuar nga njerëz agresivë, dhe ai shmanget nga çfardo lloj konfrontimi.
I shapllur si lojtari më i mirë në botë atë vit, ai dukej më i frikësuar nga pranimi i çmimit në skenën në Paris sesa të luante në një finale të Kupës së Botës. “Kam emocione të jashtëzakonshme për momentin sa që është e vështirë të përshkruhen me fjalë,” tha ai në anglisht të mësuar përmendësh, duke tingëlluar si një motor i keq përkthimi në internet. Momenti më prekës erdhi në video, nga babai i tij. Ai tha se djali i tij kishte fituar çmimin më të madh individual të futbollit, ai shtrëngoi duart si në lutje, tha me të të vogël “Ti je gjeniu im!”, pastaj filloi të qante.
Ashtu si Messi, Modriç është bërë një lider më i zëshëm me kalimin e kohës. Dokumentari i FIFA-s e tregon atë në një divan duke ligjëruar një djalë tjetër nga Zadarit, portierin e atëhershëm rezervë të Kroacisë, Dominik Livakoviç: “Nuk do ta thoja këtë nëse nuk do të interesohesha për ty. Por unë nuk mund ta shoh progresin tuaj. Ndoshta ti nuk mund ta përballosh presionin? Ju e bëni ekipin të pasigurt. Ndjenja më thotë se ju keni frikë të bëni gabime, por çfarë rëndësie ka nëse bëni një gabim? Të gjithë bëjnë.”
Livakoviç tani është portieri titullar i Kroacisë. Pasi priti tre penallti kundër Japonisë, Modriç e bekoi atë me një puthje në ballë. Kundër Brazilit, Livaković përsëri e shpëtoi ‘Vatrenin’ me 11 pritje. Skuadra më e vjetër në një Botëror që nga Franca e vitit 2006, Kroacia mbështetet te portieri i saj sepse sulmi i tyre është mjaft i parrezikshëm. Nga gjashtë ndeshjet me elimin në këtë Botëror dhe në turneun 2018, ata kanë humbur një, kanë fituar një në kohën shtesë dhe katër në penallti. Ky nuk është vetëm fat: Vatreni duken të mbushur me gjakftohtësinë e Modriçit.
Ai luajti plot 120 minuta kundër Brazilit, duke bërë punën e palodhur në mbrojtje, punë që Messi dhe Cristiano Ronaldo, gjithashtu 37-vjeçarë, hoqën dorë vite më parë. “Nuk ka vend për të pushuar, sepse ne kemi nevojë për të në çdo sekondë”, tha mbrojtësi i majtë Borna Sosa. Modriç pretendon se ndihet mirë gjatë ndeshjeve, ndoshta falë regjimit të tij fizik intensiv. Në Madrid, ai zakonisht shkon në stërvitje para mëngjesit, megjithëse i lejon vetes një ose dy birra pas ndeshjes. Ai madje u tall kohët e fundit për të luajtur deri në moshën 50 vjeçare.
“Unë jetoj për futbollin pothuajse 24 orë në ditë,” thotë ai. Por megjithatë nuk fillon t’i shpjegojë cilësitë e tij, apo të Kroacisë. /Financial Times/ /Periskopi/