Luhrmann: Bllokimi i CEFTA-s rrezikon Procesin e Berlinit, kemi nevojë për një Kosovë që është konstruktive

Luhrmann: Bllokimi i CEFTA-s rrezikon Procesin e Berlinit, kemi nevojë për një Kosovë që është konstruktive

“Bllokimi i organizatës rajonale CEFTA rrezikon të dështojë Procesin e Berlinit dhe gjithashtu të parandalojë më tej në bashkëpunimin tonë rajonal”, ka thënë ministrja e shtetit Gjerman për Evropë dhe Klimë, Anna Luhrmann, e cila i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të angazhohet sa më shpejtë në një zgjidhje që lejon të ecet përpara.

Në hapjen e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë, Luhrmann ka thënë se për të punuar së bashku për të ardhmen e gjelbër dhe të begatë të Kosovës brenda Bashkimit Evropian, është e nevojshme që Kosova të jetë konstruktive për të gjitha çështjet rajonale.

“Ne gjithashtu do ta forcojmë Kosovën si një vend investimi për kompanitë gjermane dhe të tjera ndërkombëtare të etura për të investuar këtu në tranzicionin energjetik dhe klimatik….Së bashku do të punojmë për të ardhmen e gjelbër dhe të begatë të Kosovës brenda Bashkimit Evropian. Tani, për ta bërë këtë, ne kemi nevojë edhe për një Kosovë që është konstruktive për të gjitha çështjet rajonale…Dhe për ta sjellë Kosovën më afër BE-së, ky lloj bashkëpunimi rajonal është kyç. Aktualisht që siç e dini, bashkëpunimi dhe organizata e rëndësishme rajonale CEFTA është ende e bllokuar. Manuel Sarrazin po punon shumë për të zhbllokuar CEFTA-n dhe po përpiqet të gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme për Kosovën”, ka deklaruar ajo.

Ministrja ka shtuar se Sarrazin e ka mbështetjen e plotë të qeverisë gjermane, duke shtuar se “po ndjejmë një bllokadë të vazhdueshme që rrezikon të dështojë Procesin e Berlinit dhe të parandalojë më tej bashkëpunimin rajonal”.

“Prandaj, ne gjithashtu i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që tani të angazhohet shpejt në një zgjidhje që na lejon të ecim përpara dhe të afrohemi së bashku, dhe gjithmonë mbani mend se Gjermania është mikja e ngushtë e Kosovës dhe do të qëndrojë gjithmonë pranë jush”, ka thënë ajo.

Shpërndaje në: