Lorik Cana kundër projektit të përbashkët Shqipëri – Serbi
Kapiteni legjendar i kombëtares shqiptare, Lorik Cana është pozicionuar kundër iniciativës për organizimin e përbashkët të kampionatit evropian të 21-vjeçarëve në vitin 2027 mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Ish-kapiteni i kombëtares, imazh i fortë i kuqezinjve për shumë e shumë vite, komentoi për herë të parë për Tring Sport debatin e fortë që ka krijuar në opinionin publik kandidatura e përbashkët e FSHF me Federatën Serbe të Futbollit për të organizuar një event të tillë kaq të rëndësishëm.
Për Canën, ky nuk është momenti i duhur, pasi së pari duhet të kalohen disa procese të normalizimit të marrëdhenieve mes dy vendeve.
“Më duket e nxituar. Pa u kaluar disa procese të normalizimit të marrëdhënieve është shumë e vështirë që të ketë organizime të përbashkëta pavarësisht qëllimeve të mira që ka Federata. Për momenti nuk më duket hapi i duhur”, u shpreh Lorik Cana për Tring Sport.