Londra emëron diplomaten Karen Pierce emisare për Ballkanin Perëndimor

Londra emëron diplomaten Karen Pierce emisare për Ballkanin Perëndimor

Mbretëria e Bashkuar ka emëruar diplomaten Karen Pierce si të dërguar speciale për Ballkanin Perëndimor.

Si një nga diplomatet më me përvojë, Mbretëria e Bashkuar tha se ajo është e ngarkuar për të çuar përpara objektivat strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në të gjithë rajonin.

Po ashtu, Mbretëria e Bashkuar bëri të ditur se do të presë krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqës të tjerë europianë këtë vit meqë Procesi i Berlinit do të mbahet atje, raporton Gazeta Express.

Mbretëria e Bashkuar tha se Pierce do të jetë e ngarkuar edhe me përgatitjet për Samitin, të cilin e përshkroi si një “samit ndërkombëtar vendimtar për të mbështetur stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon”.

Në këtë samit do të diskutohet edhe për migracionin e parregullt dhe për rajonin që përdorët si rrugë tranziti dhe për këtë çështje do të diskutohet me qeverinë britanike, e cila tha se është e fokusuar në përdorimin e çdo mjeti që ka në dispozicion për të kontrolluar kufijtë e saj.

“I njohur zyrtarisht si Procesi i Berlinit, Samiti do të forcojë bashkëpunimin me partnerët europianë për të ndihmuar në zbatimin e strategjisë së qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për të forcuar kufijtë, për të shkatërruar bandat dhe për të kthyer në vendet e tyre ata që nuk kanë të drejtë të jenë këtu”, thuhet në njoftim.

Samiti vjen ndërsa Mbretëria e Bashkuar zhvillon një regjim të sanksioneve të para në botë për të kapur kontrabandistët e njerëzve.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, tha se Ballkani Perëndimor ka rëndësi afatgjate për Mbretërinë e Bashkuar dhe se partneritetet në rajon janë thelbësore për përpjekjet e vendit për të trajtuar migrimin e parregullt dhe për të luftuar tregtinë me qenie njerëzore.

“Pritja e Procesit të Berlinit në Mbretërinë e Bashkuar tregon përkushtimin tonë për Sigurinë Europiane dhe për zbatimin e Planit të Qeverisë për Ndryshim”.

“Me përvojën dhe ekspertizën e saj, Karen Pierce është personi ideal për të çuar përpara këtë punë të rëndësishme. Do të doja të falënderoja Lord Peach për përkushtimin dhe shërbimin e tij personal në avancimin e interesave të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor gjatë 3 viteve të fundit”., tha Lammy.

Karen Pierce ka shërbyer si ambasadore e Mbretërisë së Bashkuar në SHBA dhe para kësaj ishte Përfaqësuesja e Përhershme e Mbretërisë së Bashkuar në OKB në Nju Jork.

 

Shpërndaje në: