Lok Komoni i reagon Gërvalles: Emri i Ramush dhe Daut Haradinaj tashmë është skalitur në historinë e kombit

Lok Komoni i reagon Gërvalles: Emri i Ramush dhe Daut Haradinaj tashmë është skalitur në historinë e kombit

Kandidati AAK-së për deputet, Lok Komoni i ka reaguar kryediplomates, Donika Gërvalla e cila Ramush Haradinajn, e quajti “të ashtuquajtur hero i Çakorrit” dhe “gjeneral i vetëshpallur”.

Ai ka thënë se Gërvalla mund të manipulojë qytetarët, por e vërteta nuk mund të fshihet.

Komoni tutje tha se emri i Ramush dhe Daut Haradinaj tashmë është skalitur në historinë e kombit si luftëtarë të pamposhtur.

Ai tutje shkroi se Kosova nuk ndërtohet me fjalime, me nënçmime apo ndasi të fabrikuara.

 

Postimi i plotë:

Replika kundër deklaratave të Donika Schwarz

Znj. Schwarz, ju mund të përpiqeni t’i manipuloni ndjenjat e qytetarëve me fjalë boshe dhe fjalime të përgatitura, por e vërteta nuk mund të fshihet pas retorikës suaj politike. Ju erdhët në vendlindjen e heronjve, në vendin ku sakrifica nuk është fjalë boshe, por një realitet i përjetuar me gjak, dhimbje dhe krenari. Dhe aty, në trojet e burrave që dhanë gjithçka për këtë vend, ju tentuat të ndani, të kategorizoni e të vendosni etiketa mbi ata që luftuan për Kosovën, si të kishit të drejtën morale apo historike për ta bërë një gjë të tillë.

Luan dhe Shkëlzen Haradinaj janë heronj të Kosovës, jo sepse ju i quajtët të tillë, por sepse ata sakrifikuan jetën e tyre për këtë dhe.

Ramush dhe Daut Haradinaj nuk kanë nevojë për titujt tuaj të shpallur, sepse emri i tyre tashmë është skalitur në historinë e kombit si luftëtarë të pamposhtur dhe burra që i dolën zot këtij vendi në kohët më të errëta.

Ju sot erdhët në Deçan, aty ku secili gur e secili varr dëshmon për sakrificën e një familjeje që nuk pyeti për pushtet e as për lavdi, por që e vuri Kosovën mbi gjithçka. Dhe në vend që të përkuleni me respekt të sinqertë, ju zgjodhët të bëni kalkulime politike dhe të luani me ndjenjat e një populli që e njeh shumë mirë historinë e bijve të tij.

Kosova nuk ndërtohet me fjalime, me nënçmime apo ndasi të fabrikuara. Kosova u ndërtua me luftën, djersën dhe gjakun e heronjve të saj të vërtetë – pa dallim emri e mbiemri. Dhe populli e di kush janë ata që dhanë gjithçka pa kërkuar asgjë në këmbim. Kjo është e vërteta që nuk mund ta ndryshojë askush, aq më pak ata që sot përpiqen të rishkruajnë historinë sipas interesave të çastit.

#turpikaemer

Shpërndaje në: