Loja obsesive e VV-së me kukulla: Ja si i krijuan e zhdukën kukullat e Mustafës, Osmanit, Veliut e Hazirit
Gazeta Periskopi ka përgatitur një histori të shkurtër të etiketave që Vetëvendosje ka mbajtur ndaj LDK-së përgjatë gjashtë viteve të fundit përmes deklaratave të thëna në publik.
Siç mund ta shihni në shtrirjen kohore të mëtejme që nis me qershorin e vitit 2014 dhe mbaron me prillin e sivjetmë, Vetëvendosje ka ndryshuar radikalisht qëndrimet në lidhje me ish-kundërshtarin dhe ish-partnerin e saj, LDK-në.
Një gjë të tillë ajo e ka bërë gjatë gjithë kohës duke përdorur taktikën e desubjektivimit, duke tentuar kështu që t’i ulin rëndësinë në sferën publike. Por, ajo ndërrohej më pas kur VV-së i konvenonte pikërisht taktika e subjektivimit.
Figura më e njohur ishte ajo e “kukullës”, e të cilën në betejën e tyre politike nuk e kanë kursyer madje as ndaj kryetarit Isa Mustafa, apo kandidates për kryeministre Vjosa Osmani, shkruan Periskopi.
Ta zëmë, Isa Mustafa kishte mundësinë që të ishte njëkohshëm ‘kukull’ (ang.puppet) por edhe ‘kukullëzues’ (mjeshtër kukullash).
I vetmi subjekt – përveç tyre – në sferën politike të vendit është presidenti Hashim Thaçi – i cili ka përdorur si ‘kukulla’ politikanët e kësaj partie. Jashtë vendit, subjekt ishte edhe Serbia e cila për një kohë e kishte “argat” po kryetarin Mustafa, e me këtë si “nën-argatë” të gjithë vartësit e tij në qeveri e në parti.
Një diskurs i tillë i tejthjeshtëzuar urrejtës vazhdon të besohet nga shumë njerëz – por shihni këtë kohë-shtrirje të bazuar në qëndrimet publike të kësaj partie.
Qershor 2014: Isa Mustafa bëhet bashkëpunëtori i madh i VV-së në krijimin e koalicionit VLAN;
Nëntor 2014: Isa Mustafa bëhet kryeministër dhe njëkohshëm kukull e Thaçit;
Gusht 2015: Isa Mustafa nënshkruan marrëveshje me Serbinë, bëhet kukull edhe e Vuçiqit;
Maj 2017: Isa Mustafa rrëzohet si kryeministër, nuk është më kukull e Thaçit e as e Vuçiqit;
Shtator 2017: Isa Mustafa bëhet bashkëpunëtor i ngushtë opozitar i VV-së;
Qershor 2019: Isa Mustafa tradhton bashkëpunimin duke e vendosur Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre dhe nga kukull bëhet kukullëzues;
Data e Panjohur: Agim Veliu e Lutfi Haziri bëhen kukulla të Thaçit;
Shtator 2019: Vjosa Osmani bëhet kukull e Isa Mustafës, Agim Veliut dhe Lutfi Hazirit si kandidate për kryeministre; Avdullah Hoti nuk ekziston;
Tetor 2019: Isa Mustafa bëhet papritmas ‘profesor i nderuar’;
Dhjetor 2019: Isa Mustafa bëhet sërish kukull e Thaçit, pasi nuk po arrihej marrëveshja;
Janar 2020: Lutfi Haziri bëhet papritmas konstruktiv dhe ndër njerëzit kryesorë në arritjen e marrëveshjes qeverisëse VV-LDK;
Shkurt: 2020: Avdullah Hoti qëllohet me vezë duke ecur në këmbë si zv.kryeministër i Qeverisë Kurti. Shumë larg të qenit kukull;
Mars 2020: Isa Mustafa ribëhet kukull e Thaçit;
Mars 2020: Haki Abazi zbulon se Avdullah Hoti është në të vërtetë kukull e Mustafës, Thaçit e Vuçiqit dhe e quan “servil si brisku”;
Prill 2020: Glauk Konjufca zbulon se PDK ka qenë shumë më konstruktive se LDK, duke bërë kështu që kjo e fundit të mos jetë e denjë as si kukull e të parës;
Prill 2020: Avdullah Hoti bëhet kryekukull e Mustafës, Thaçit dhe Vuçiqit. /Periskopi