Liverpooli regjistron fitoren e shtatë radhazi, vazhdon garën për një vend në top-katërshe
Liverpooli ka regjistruar fitoren e shtatë radhazi në Premierligë, për të vazhduar kështu garën për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve edhe për sezonin e ardhshëm.
Në ndeshjen e vlefshme për javën e 36-të, skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp fitoi në udhëtim ndaj Leicester Cityt, shkruan Gazeta Express.
Ndeshja e zhvilluar sonte në stadiumin “King Power” përfundoi me rezultatin 0:3.
Curtis Jones (33’, 36’) dhe Trent Alexander-Arnold shënuan golat e fitores për “Të Kuqtë”.
Liverpooli pas kësaj fitore ka 65 pikë në pozitën e pestë, me vetëm një pikë më pak se Manchester United, që mban pozitën e katërt. Por, “Djajtë e Kuq” kanë një ndeshje më pak.
Edhe Newcastle United, që ka zhvilluar 35 ndeshjen deri më tani, ka 66 pikë në pozitën e tretë.
Leicester City mbetet në pozitën e parafundit (19) me 30 pikë, dy më pak se Evertoni, që ndodhet në pozitën e 17-të, e cila siguron mbijetesën në elitën e futbollit anglez.