Liritë individuale dhe vlerat shoqërore

Arbër Ymeri Op-Ed

Në vitet e tetëdhjeta të shekullit XX, në SHBA u zhvillua një debat interesant mes përfaqësuesve të teorisë së drejtësisë dhe teoricienëve komunitaristë. Shkas i debatit ishte libri i John Rawls-it me titull:  “Një teori e drejtësisë”. Rawls-i mbronte pikëpamjen se drejtësia ka një përparësi absolute para jetës së mirë. Sipas tij, asnjë e drejtë e individuale nuk duhet të sakrifikohet për mirëqenien e përgjithshme. Ai e përkufizonte drejtësinë si “virtytin e parë të institucioneve sociale, siç është e vërteta në sistemet e të mendarit”

Pikëpamjet e John Rawls-it do të kritikohen më vonë në mënyrë masive nga një varg filozofësh, të cilët do të klasifikohen si përfaqësues të idesë së komunitarizmit në filozofinë politike bashkëkohore, si: Michael Sandel, Alasdair MacIntyre, Charles Taylor etj. Ky debat mes liberalizmit po e përcjell më shumë se dy dhjetëvjeçarë filozofinë politike bashkëkohore. Shenjë dalluese për të gjithë variantet e liberalizimit është përqendrimi në nevojën e autonomisë dhe reduktimi i interesimit në domosdonë e rregullimit shoqëror. Individualistët (liberalët) nuk e mohojnë nevojën e rregullimit shoqëror, por ata e parapëlqejnë një rregullim të shkriftë. Pozicioni komunitarsit përfaqëson tezën e një rregullimi shoqëror, i cili karakterizohet nga një sërë vlerash të ndara bashkërisht, karakteri obligativ i të cilave do duhet ndarë mes individëve të veçantë.

Në kohën e sotme nocionet individ dhe shoqëri luajnë rol të rëndësishëm në filozofi dhe në shkencat tjera sociale. Nëse nocioni individ luan funksionin e të shprehurit të autonomisë se cilit njeri dhe paraqet dallueshmërinë nga njeri tek tjetri, nocioni shoqëri  paraqet të përbashkëtën, lidhjen dhe bashkëpjesëmarrjen e dy ose më shumë unë-ve. Cili peshon mbi tjetrën: unë – identiteti apo ne-identiteti? Një krahasim mes hulumtimeve të idesë së komunitarizmit tek Amitai Etzioni dhe teorisë së civilizimit të Norbert Elias-i na shpie në një rezultat interesant: të dy përpiqen të gjejnë një drejtpeshim në mes të unë-identitetit dhe ne-identiteteve. Por ata përdorin rrugë të ndryshme, por edhe pikëvështrime të ndryshme. Për Amitai Etzionin pikëmbështetje është bashkësia. E kundërta është tek Norbert Elias-i, i cili ishte i mendimit se unë-identiteti mbi peshon ndaj ne identitetit.

Me periudhën antropologjike, njeriu bëhet  çështje mbi të gjitha çështjet në studimet filozofike. Fillet e kësaj periudhe i gjejmë tek mendimet e Socrates  ku virtytet, e mira e keqja, lira e kështu me radhë përbëjnë dialogjet e tij.

Historikisht nocioni liri ka një traditë të lashtë filozofike (nga antikiteti grek) e që gjatë ecjes së kohës ajo ka marrë shpesh kuptime të ndryshme. Kuptimi fillestar, që ka bazën në antikën greke, kishte karakter politik. Shprehja greke Eleutheria përcaktonte sjelljet, përkatësisht veprimet, individuale që duhej të ishin në harmoni me normat e bashkësisë. Autonomia (gr.: autonomia) për grekët e vjetër kishte kuptimin e hyjnizimit të natyrës, përshtatje në normat e natyrës dhe përjashtonte mundësinë e nxjerrjes së normave të reja. Autonomia kuptohej si e tillë nëse njeriu njihte ligjet e natyrës dhe identifikohej e vepronte sipas tyre, thënë ndryshe fjala liri kishte të bënte vetëm me jetën përbrenda  polis-it.

Koncepti filozofik i lirisë specifikohet në kohën kur bëhet dallimi te sofistët mes physis dhe nomos. Këtu është fjala për dallimin që pason në antikën e vonshme të antikitetit grek, ligjit natyror dhe ligjeve nga njerëzit. Ky dallim i sofistëve bënte ndarjen e `individit` nga `bashkësia` përkatësisht nga shteti.

I pandashëm nga nocioni i lirisë është nocioni i vlerës, ku në filozofinë bashkëkohore kanë ngjallur debatin midis liberalizimit/individualizmit dhe komunitarizmit.

Vlerë konsiderohet ajo që subjektit, përkatësisht individit, grupit shoqëror apo tërë shoqërisë në fazën e caktuar historike të zhvillimit ja bënë të mundshëm, në saje të vetive, përcaktimeve të cilat një gjësend, gjendje, vepër, sjellje i ka ose supozohet se mund t’i ketë, plotësimin e ndonjë nevoje të njëmend materiale, shoqërore, kulturore ose shpirtërore  të tij dhe kështu shkakton ndjenjën e kënaqësisë; vlerat për definitionem i janë produkte të njeriut, praktikisht të punës praktike dhe të angazhimit të tij shoqërorë. Jashtë njeriut dhe pavarësisht nga njeriu nuk mund të ketë kurrfarë vlerash; këtu qëndron njëra ndër dallimet kryesore ndërmjet fakteve dhe vlerave  – të parat janë objektive dhe ekzistojnë pavarësisht nga njeriu, kurse të dytat objektive-subjektive dhe ekzistojnë vetëm nëse ekziston njeriu si qenie që vepron, njeh, shijon, zgjedh dhe vlerëson.

*Arbëri është profesor i filozofisë

Shpërndaje në: