Lionel Messi në Leeds United?

Lionel Messi në Leeds United?

Barcelona në 6-7 vitet e fundit kishte futbollistin më të mirë në botë por edhe menaxhmentin më të dobët në botë. Derisa Lionel Messi nuk ndalej së shënuari gola, menaxhmenti i këtij klubi nuk ndalej së shënuari auto-gola. Skandale të pabesueshme. Dënime nga UEFA. Transferime të turpshme. Episode turpi të presidentëve. Mes shumë të tjerave.

Dje Barcelona njoftoi se po ndante rrugët përfundimisht me Messin. Ky i fundit nuk është lojtar i Barcelonës prej datës 1 korrik 2021, por pritej që të vazhdonte kontratën me klubin e fëmijërisë. E megjithëse president i klubit është një njeri i dashur për të si Joan Laporta, kjo gjë nuk ka ndodhur.

Skandalet e vazhdueshme të presidentëve, politika tmerruese e transferimeve, tensionet mes lojtarëve dhe drejtuesve kanë bërë që Messi të ishte i tej-ngopur edhe vitin e kaluar kur dërgoi dëshirën e tij për largim nga klubi.

Nuk ndodhi për shkak të kontratës. Por, argjentinasi 34 vjeçar duket se këtë verë do të bëhet lojtar i një ekipi tjetër.

Cilit, se?

Si opsione të mundshme po përmenden ekipe gjigante si Manchester City e Paris Saint Germain.

Por, në fakt opsioni më i mirë për futbollistin 34 vjeçar është ekipi që u kthye në elitën e futbollit anglez vitin e kaluar pas 16 vitesh mungesë: Leeds United.

Pse kjo aventurë do të ishte më e mira në karrierën e Messit?

E para, dhe më e rëndësishmja, Messi do të udhëhiqej nga trajneri më i mirë në botë [sipas trajnerit më të mirë në botë, Pep Guardiolas] Marcelo Bielsa. Bielsa është nga qyteti i Rosarios në Argjentinë, ku ka lindur dhe është rritur edhe Messi. Për më tepër, Bielsa është “zoti” i ekipit të fëmijërisë së Messit: Newell’s Old Boys.

Stadiumi i këtij ekipi mban emrin Marcelo Bielsa për shkak të sukseseve të tij me këtë klub në fund të viteve ’80. Dihet nga raportet e mëhershme të mediave se Messi i ka kërkuar Barcelonës që të nënshkruajë pikërisht me Bielsan. Gjë që nuk ndodhi, natyrisht.

Për më tepër, filozofia e Bielsas do t’i përshtatej së tepërmi Bielsas që është shumë kërkues dhe që kërkon futboll total e dominues. Messi do të ishte mesfushor qendror, e në ndonjë rast edhe ofanziv, dhe s’do ta kishte aspak të lehtë që të zinte vend në formacionin startues. Por, kjo është sfidë apo jo?

Potencialisht, atij do të mund t’i lihej ekzekutimi i penaltive, gjuajtjeve të lira jashtë zone, degazhimeve në vend të portierit, kornerëve e autëve meqë Leeds nuk ka ndonjë lider në ekip. Messi do të kishte mundësinë që të luante me lojtarë të shquar si Kalvin Phillips, Illan Meslier, Luke Ayling, Jack Harrison, Patrick Bamford etj.

Tifozët e Leeds tashmë kanë nisur diskutimet e tyre nëse e duan ose jo argjentinasin. Shumica prej tyre shprehet pro transferimit të tij në Yorkshire. /Periskopi

Shpërndaje në: