Linja e nxehtë e Hashim Thaçit

Linja e nxehtë e Hashim Thaçit

Përpjekjet për përjashtimin e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë në bisedimet me Kosovën Serbia i ka mbrojtur me këmbëngulësi edhe gjatë luftës së armatosur në Kosovë edhe pas kërcënimeve të NATO-s për ndërhyrje ushtarake për të ndërprerë gjenocidin serb mbi shqiptarët. Historia e kësaj lufte dhe ndërhyrjeje ushtarake dihet dhe nuk ka nevojë të përsëritet. Hapja e një perspektive të re në këtë pjesë të Ballkanit ndryshoi çdo gjë, pos kërkesës së vazhdueshme serbe që dialogun me shqiptarët ta bëjë pa ndërmjetësi ndërkombëtar.

Përkundër faktit që pavarësinë e shtetit të Kosovës e njohin rreth 113 shtete të botës, Serbia vazhdon ta mbajë Kosovën të sanksionuar në kushtetutën e vet si pjesë të Serbisë. Gjatë gjithë kohës së bisedimeve me ndërmjetësimin e BE-së, përfaqësuesit e institucioneve të shtetit të Serbisë kanë përsëritur sa herë që u është dhënë mundësia se Serbia nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës dhe do të bëjë çdo gjë që është e mundur përmes rrugëve diplomatike ta kthejë “sovranitetin e saj mbi Kosovën”. Madje edhe kërcënimet me luftë nuk ishin të rralla. Kërcënimi i fundit u bë para dy javësh nga presidenti serb, në kohën kur raportet në mes Kosovës dhe Serbisë u tensionuan nga provokimi serb me « Trenin luftënxitës».

Vetëm disa ditë pas këtij tensionimi, në janar të këtij viti, kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq nga Davosi i Zvicrës propozoi që në mes të “institucioneve të përkohshme të Kosovës” dhe atyre të Serbisë të vendoset një, siç e quajti ai, “Linjë e Nxehtë” apo “Linjë e Kuqe” telefonike. Sipas Vuçiqit, kjo “linjë e nxehtë” “do të mund t’i zgjidhte të gjitha problemet në mënyrë paqësore”!

Disa ditë më vonë, më 28 janar 2017, Hashim Thaçi informoi opinionin publik se ka realizuar një bisedë telefonike me Aleksandër Vuçiqin. Nuk tregoi as për kohën e bisedës e as për përmbajtjen e saj. Por, u bë e qartë për të gjithë se propozimi i Vuçiqit për komunikim të drejtpërdrejtë dhe pa prezencën ndërkombëtare u bë realitet. Edhe pse nuk e dimë përmbajtjen e komunikimit që patën, jetësimi i kësaj “Linje të Nxehtë” në mes Aleksandar Vuçiqit dhe Hashim Thaçit është një ogur i zi për Kosovën. Konstatimi i tillë del nga fakti se të gjitha bisedat e deritanishme në mes Thaçit dhe Vuçiqit kanë rezultuar me marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën. TË MOS HARROJMË: kur nga bisedimet e zhvilluara me ndërmjetësim ndërkombëtarë sollën marrëveshje shumë të dëmshme për vendin, sikur ajo për asociacionin e komunave me shumicë serbe, IMAGJINONI se çka janë në gjendje të bëjnë kur janë vetëm me ta!

Edhe sot, më 1 shkurt 2017, mediet njoftuan edhe për një bisedë të zhvilluar mes këtyre dyve! Si duket Hashim Thaçi “Linjën e nxehtë” telefonike të propozuar nga Aleksandër Vuçiç tanimë e ka shndërruar në “linjë të rregullt”. Është e parëndësishme nëse komunikimet kanë filluar përmes bisedave telefonike apo përmes takimeve fizike. Ajo që është me rëndësi të thuhet ka të bëjë me faktin se këto biseda paraqesin një moment të ri në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, sepse shënojnë fillimin e dialogut Kosovë-Serbi, pa ndërmjetësim ndërkombëtar. Prandaj, ky moment i ri shtron një pyetje fondamentale e cila kërkon përgjigje të menjëhershme. Kur dhe nga kush u morr vendimi për të filluar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë pa ndërmjetësim ndërkombëtar?

Reagimi ndaj kësaj çështjeje është urgjent! Sa nuk është bërë vonë!

Bisedime pa ndërmjetësim ndërkombëtar bëjnë vetëm shtetet të cilat e kanë njohur pavarësinë e njëra-tjetrës ose përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme të një vendi. Serbia nuk e njeh shtetin Kosovës dhe ka qëndrime armiqësore ndaj saj. Kosovën ende e mban të sanksionuar në kushtetutë si pjesë të Serbisë. Mban dhe financon strukturat e saj shtetërore në territorin e Kosovës. Zhvillon një luftë të ashpër diplomatike kundër njohjeve të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare.

Bisedimet e tilla paraqesin rrezik shumë të madh për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Në veçanti kur kemi parasysh faktin se Hashim Thaçi në biseda pa ndërmjetësim ndërkombëtar na solli Marrëveshjen e Demarkacionit për faljen e mbi 8000 hektarëve të Kosovës Malit të Zi. Rreziku që Thaçi në të ardhmen të bëjë marrëveshje edhe më të dëmshme për vendin është shumë i madh. Prandaj duhet reaguar sot sa nuk është bërë vonë!

Shpërndaje në: