Liburn Aliu aktivizon Njësinë e Hetimeve për tenderin 16 milionësh të Hysen Durmishit

Liburn Aliu aktivizon Njësinë e Hetimeve për tenderin 16 milionësh të Hysen Durmishit

Një tender 16 milionësh për mirëmbajtjen e dy autostradave, që u menaxhua nga zëvendësministri i MMPHI-së, Hysen Durmishi dhe Nexhat Krasniqi – shef i Prokurimit në këtë ministri, është bërë cak i hetimit të brendshëm në Ministrinë që udhëhiqet nga Liburn Aliu.

***

Ditë më parë, Periskopi pati raportuar për një tender 16 milionësh, mbi të cilin janë hedhur dyshime për favorizime të njerëzve të afërt me shefin e prokurimit, Nexhat Krasniqi, i cili sipas raportimeve së ka kaluar në listën rezervë të zyrtarëve të prokurimit.

Ky tender ishte menaxhuar nga z.Krasniqi dhe zëvendësministri Hysen Durmishi. Dyshimet e kompanive ankuese, ishin se, fituese ishin shpallur kompanitë më të shtrenjta sesa disa oferta që ishin më të lirë.

Periskopi ka mësuar nga burime të mirinformuara në Ministri, se ministri Liburn Aliu ka autorizuar dy auditorë dhe një drejtor departamenti që ta shikojnë tërë procesin e deritashëm të kësaj procedure të prokurimit.

“Aktualisht MMPHI ka dy njësi të auditmit. Kjo pasi dy ministri janë bashkuar në një. Njëra njësi e auditmit është e infrastrukturës dhe tjetra e Mjedisit. Në këtë rast, ministri nuk ka autorizuar vetëm njësinë e infrastrukturës, por e ka dërguar edhe një person nga mjedisi për të audituar këtë procedurë. Behet fjalë për drejtorin e departamentit Luan Sabedinaj dhe dy auditorët e infrastrukturës, Miniere Gashi dhe Ajet Mehmeti”, tha një burim brenda ministrisë për Periskopin.

Mësohet se këtë procedurë të tenderit e ka shenjëstruar edhe Zyra Kombëtare e Auditmit -ZKB, e cila zakonisht piketon tenderët që raportohen nga të gjeturat e mediave.

Tenderi që ka të bëjë më mirëmbajtën e dy autostradave, aktualisht ndodhet në fazën e pezullimit ngase Ministria ka pranuar disa ankesa, pasi ka shpallur fituesit e për katër kontrata. Por, Periskopi ka raportuar se ministria ka shkelur ligjin duke mos u kthyer përgjigje në afatin e paraparë ligjorë kompanive, të cilat më pas i janë drejtuar edhe Organit Shqyrtues të Prokurimit me ankesa.

Referuar të dhënave që janë të publikuara në E-prokurim, më datë 11 prill, prokurimi i Ministrisë kishte hapur tender me validitet për 3 vjet për mirëmbajtjen e dy autostradave në Kosovë. Ndërkaq, më 14 prill janë hapur ofertat, ku kanë rezultuar 18 garues, shumica prej të cilëve kanë garuar për të gjitha pjesët.

Më 24 prill, ministria ka bërë “Njoftim mbi vendimin e Autoritetit kontraktues”. Kjo nënkupton që është bërë shpallja e kompanive të rekomanduara për kontratë, të cilat kanë qenë:

Lot 1: Grupi i kompanive me lider “Lika Company” SHPK & “Lika Trade”.

Lot 2: Grupi i kompanive me lider  kompaninë “2A Group” SHPK & NNT  “ABC” SHPK & “B CORP” SHPK & “JUBICA” SHPK.

Lot 3. Grupi i kompanive, me lider kompaninë “Damastion Project” Shpk & “Via” & “Company Eskavatori”.

Lot 4. Grupi i kompanive me lider kompaninë “Arbotec” SHPK & “Arbotec GMBH” –Dega në Kosovë.

Kur kompanitë nuk pajtohen me vendimin e ministrisë, kanë të drejtë të bëjnë kërkesë për rishqyrtim brenda afateve kohore, dhe natyrisht brenda afateve kohore pritet që Ministria t’u kthejë përgjigje.

Disa kompani kanë qenë të pakënaqura me vendimin e ministrisë për të gjitha pjesët e tenderit, nga edhe kanë shtruar kërkesë për rishqyrtim (ankesë), por nuk kanë marrë përgjigje akoma. /Periskopi/

 

Nexhat Krasniqi me dost dhe vlerësuesin e tenderit në kafe, a po bëhet ‘aksham pazar’ për tenderin 16 milionësh?

Shpërndaje në: