Letrat e Mitrush Kutelit për Lasgush Poradecin

Letrat e Mitrush Kutelit për Lasgush Poradecin

Në janar të vitit 1942 Mitrush Kuteli, nga Bukureshti i mbështjellë nga dimri i gjatë, ulej ti shkruante një tjetër letër mikut të tij Lasgush Poradeci. Nuk ishte vetëm qyeteti ku kishin kaluar fëmijërinë ai që  lidhte miqësinë mes tyre, por dhe kryeqyteti rumun, ku kohë më parë Lasgushi kishte qënë student i Arteve të Bukura. “Letrën t’ënde të shkrojtur në Poradec më 23 të Korrikut 1941 e mora sot më 22 Janar 1942. S’di as unë ku munt të kish ngecur, si ngjan dendur në rethana të jashtëzakonshme, si këto t’onat. Unë jam mirë: dimëroj. T’a këndova me gëzim vjershën “Durimi”. Më pëlqen alternanca e tetë dhe pesë rrokjeve. Kjo i jep intensitet dhembjes së brendëshme. Prej shumë kohë, në arratime të reja e të vjetra, nuk pata dëgjuar e folur shqip…”, I shkruan Kuteli. Lasgushi i kishte nisur për lexim vjershën “Durimi”, po kështu dhe Kuteli përmes letrave i kishte nisur për të lexuar disa dorëshkrime. Dy personazhet e letrave shqipe ndanin përmes letërkëmbimeve mendime mbi atë cfarë shkruanin, duke i kwrkuar shpesh kwshilla njwri tjetrit. Kuteli pohon në letër se poezia nuk është fusha e tij dhe vetëm kur dhembja del kraharorit, atëherë vargjet i vijnë natyrshëm. Në letër ai i flet dhe për përfshirjen në “gardën e hekurt” rumune, kohën që kaloi në luftë në Ukrahinë, duke e porositur që të mos tregojë nga shtëpia. Në letrën tjetër Kuteli i shpreh ngushëllimet mikut për humbjen e nënës, dhe më pas e pyet në mund ti dërgojë disa novela për tia lexuar. Jo vetëm letërkëmbimet që janë bërë publike këto kohë nga pasardhësit e shkrimtarit, por dhe disa recencione të Kutelit mbi poezinë e Lasgushit, tregojnë mbi vlerësimin që shkrimtari që kishte për poetin dhe mikun e tij të ngushtë, duke e konsideruar shpesh edhe si një mentor të letrave.”Në hierarkinë e elementeve që përbëjnë vlerën e një vepre poetike, forma ose trajta zë vendin e parë. Kuptimi ose përmbajtja nuk vijnë përveç se në radhën e dytë. Kjo gjë shpjegohet e kuptohet lehtë. Sepse, sa e sa nuk mund të kenë mendime të larta e mbase hyjnore, sa e sa nuk mund të kenë ndjenja të thella e të kthjellta, sa e sa nuk mund të ndjejnë e të shijojnë shpirtërisht bukuritë e jetës dhe të natyrës, gazin e ditës, magjinë e mbrëmjes ose fshehtësinë e natës, sa e sa nuk mund të përmbushin vepra të larta, po të gjithë këta duke mos patur mundësinë e brëndshme t’i shprehin këto ndjenja e mendime të veshura me veshjen e poezisë, pra, të formës, nuk janë vjershëtorë. Janë e mbeten, ndoshta mendimtarë, shkencëtarë, shkrimtarë, e mbase heronj, por jo vjershëtorë. Kjo është arsye, për të cilën në vëzhgimin e veprës poetike të Lasgushit, ne fillojmë me formë, duke përmbledhur në këtë fjalë fjalorin, përfytyrimet, rimën, ritmin, fonologjinë e stilin përgjithërisht”, shkruan Kuteli në një analizë mbi poezinë lasgushiane.

Letrat:

Egregio Signior Dott Lasgush Poradeci

Profesore Tirana

24 Janar 1942, Bukuresht

I dashur Llazar,

Letrën t’ënde të shkrojtur në Poradec më 23 të Korrikut 1941 e mora sot më 22 Janar 1942. S’di as unë ku munt të kish ngecur, si ngjan dendur në rethana të jashtëzakonshme, si këto t’onat. Unë jam mirë: dimëroj. T’a këndova me gëzim vjershën “Durimi”. Më pëlqen alternanca e tetë dhe pesë rrokjeve. Kjo i jep intensitet dhembjes së brendëshme. Prej shumë kohë, në arratime të reja e të vjetra, nuk pata dëgjuar e folur shqip…

Ja po të dërgoj edhe unë një vjershë t’imen. Pa fjalë se poezija nuk është fusha ime. Ti fort mirë e di. Po, janë rethana kur edhe korbi – jo vetëm bilbili – ndjen shtytjen e brendëshme, të buçasë. Se zëri i tij nuk i ngjan erës së temjanit po të katranit, kjo është e vërtetë.

“VDEKJA IME” është një farë “elegjije” ose “vajë” si thua tinë. Masa: tetë e gjashtë rrokje që munt të pasqyrojë më mirë regëtimet e shpirtit.

E shkrojta në Tetor 1941, kur marshoja për në ballin e luftës (këtë punë ti lipset t’a mbash për vete, të pa thënë, – nuk është mirë t’a dijë as Nëna as Babaj, e asnjeri!).

Dy sende m’a patnë turbulluar, asohere, shpirtin: malli i tronditshëm i v e n d i t, i baltës s’onë, edhe dhembja e Nënës. Nga shtatë strofat, një është për hyrje, tri për tokën, tri për Nënën.

Ti po t’a gjesh të udhës mund t’a shtypësh pa asnjë shpjegim mi rethanat që të shkrojta.

Më duket se kam disa dorëshkrime proze, të vjetra. Po të gjej rast, do të t’i dërgoj. Dua të shtyp së shpejti (dorëshkrimi është afron gati) një volum të vogël me folklor “CANTECE SI DESCANTECE DIN MOLDOVA NICA – Transnistria” të mbledhura prej meje përtej lumit Nistër.

Edhe një herë, përsëri, të lutem që prindërit nuk lipset të dinë se isha edhe unë përtej. Tjatër herë të kam për të shkruar, ty, rethanat.

Me dashuri, yti – Dhimitraq

 

VDEKJA IME

 

Po të vdes në dhé të huaj

– Shorte mërgimtari –

Të m’a bëni varrin t’im,

Ku do bje së pari

E një grusht nga balta jonë,

– Dhe nga dheu i vetë –

Të më sillni e t’a vini

Drejt ne zemr e shkretë.

 

Do më çlodhet q’asohere

Trup i rraskapitur,

Ky trup që kaqe dëshërime

M’a patnë zhuritur.

 

Se kjo balt e vendit t’onë

Mallet do m’i shuaj,

S’do më duket fort i rëndë

Po ky dheu i huaj…

 

Pa të vini të m’i thoni

Nj’ asaj Nënës s’ime:

Zi mos qajë, zi mos mbajë

Po asnjë thërrime;

 

Se m’i lumtur jam i fjetur

Se sa i mërguar,

Mot pas moti arratije

Zemër copëtuar.

 

Pa fytyr’ e saj e tretur

– Që e kam ikonë –

Lart mi varr do më qëndrojë

Sot e përgjithmonë…

 

Mitrush KUTELI

Ukrainë, Tetor 1941      

 

 

Lasgush Poradeci

Rruga e Shëngjergjit nr 5

Tirana Albania

Bukuresht – 29 Maj 1941

 

I dashur Llazar,

Letrën e mora. Fort më hidhëroj pushimi i Mëmës s’ate të dhemshur. Kështu është jeta. Lotë e dhembje. Si ka qënë në fillim. Të jesh i lumtur se e pate parë shpesh në vitet e fundit. E se ka një varr ku munt të gjunjëzosh.

Jam mirë. Shkruajm në drejtimin e vjetër – pa as një titull, përveç emrit. Dëshëroj të nisem që të shoh vëndin t’im. Ç’u bë libra që pregatitnje? A munt të të dërgoj dorëshkrime nuvelash për do një të përkohëshme?

Me dashuri Kuteli

 

/Alda Bardhyli – Gazeta Shqip

Shpërndaje në: