Letra e qeverisë ‘rrëzohet’ nga Macron, Scholz dhe Meloni, Kurtit i bëhet edhe më i qartë kushti për KiE
Franca, Gjermania dhe Italia kanë ngulur këmbë në një letër dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se ato e mbështesin draft-statutin e propozuar nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, për themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe.
Javë më parë, Kurti i ishte drejtuar liderëve të këtyre tre vendeve me një letër, duke sqaruar pse Qeveria e Kosovës nuk mund ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese atë draft-statut dhe kishte propozuar ta shkruajë një të ri me kryetarët e tanishëm të komunave me shumicë serbe.
Edhe pse Kurti mori përgjigje të mërkurën për këtë, Qeveria iu drejtuar të njëjtën ditë këtyre vendeve me një letër të re për këtë çështje.
Në letrën e përbashkët të presidentit të Francës Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministres së Italisë Giorgia Meloni më 15 maj – të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë – thuhet se draft-statuti i paraqitur nga Lajçak nuk është thjesht “një propozim zotërinjsh”.
“Ai është model i qëndrueshëm, i përpiluar me kujdes me ndihmën e ligjvënësve dhe ekspertëve evropianë, në përputhje me praktikat më të mira ekzistuese në Evropë. Ai i merr parasysh plotësisht të gjitha vijat tuaja të kuqe, si dhe kornizën ligjore dhe Kushtetutën e Kosovës. Si i tillë, ai gëzon mbështetjen tonë të plotë. E theksojmë përsëri se ne nuk e duam një Kosovë jofunksionale, dhe Asociacioni në asnjë mënyrë nuk është i krahasueshëm me Republikën Sërpska”, thuhet në letër.
Kurti, në letrën e tij drejtuar atyre, e kishte lënë të hapur edhe një mundësi që ta shqyrtonte edhe draft-statutin e Lajçakut, por vetëm pasi ai të ishte shqyrtuar fillimisht nga ekspertët ligjorë të Këshillit të Evropës.
“Unë, po ashtu, do të isha i hapur për opsionin që draft-statuti i Lajçakut të paraqitet nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës për shqyrtim nga juristët eminentë të emëruar nga sekretariati dhe byroja e Këshillit të Evropës, për të vlerësuar përputhshmërinë me obligimet e Kosovës, sipas Këshillit të Evropës. Obligohem se do të respektoj gjetjet e juristëve eminentë me respektin më të madh“, kishte shkruar Kurti.
Por, Macron, Scholz dhe Meloni thanë se dorëzimi i draft-statutit tek ekspertët e Këshillit të Evropës “nuk do të përbënte hap të nevojshëm vendimtar, meqë mendimi i tyre nuk do të ishte ligjërisht detyrues”, duke ngulur këmbë që Kurti ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
“Kjo mund të arrihet vetëm duke e dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën. Siç qartësohet edhe me Brukselin, nuk ka pengesa ligjore në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për ta ndërmarrë këtë hap”, thuhet tutje në letren e liderëve.
Liderët gjithashtu e hodhën poshtë një propozim të Kurtit për ta përpiluar një draft-statut të ri për Asociacionin.
“Propozimi juaj për ta përpiluar një draft të ri në konsultim me kryetarët e tanishëm të komunave, apo me nënkryetarët, nuk është as i përshtatshëm e as i zbatueshëm, për shkak të rrethanave të tanishme në këto komuna”, thanë ata.
Katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, të cilët erdhën në pushtet vitin e kaluar në zgjedhje lokale që ishin bojkotuar nga partitë dhe qytetarët serbë atje, dhe pasi qytetarët serbë nuk morën pjesë në një votim muajin e kaluar për largimin e tyre përmes peticionit.
Kurti kishte thënë më parë se nuk do ta pranonte Asociacionin si kusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Në letrën e tij, Kurti u kishte thënë tre liderëve evropianë se kërkesa e tyre që Kosova “ta dërgojë këtë draft-statut në Kushtetuese rrezikon edhe procesin e dialogut, pasi është kundër parimit të barazisë, që parasheh Marrëveshja Bazë”.
“Draft statuti nuk është miratuar as konsideruar në dialogun e nivelit të lartë në Bruksel, prandaj ai mbetet vetëm draft, i cili nuk është miratuar“ ka shkruar në letrën e tij Kurti.
Ditë më parë Kurti tha se Kosova kishte ofruar që draft-statuti i Lajçakut të bëhej pjesë e pakos së Marrëveshjes Bazë të Brukselit, dhe të Aneksit të Ohrit, dhe të nënshkruhet që të bëhet ligjërisht i obligueshëm dhe i zbatueshëm.
“Ai u refuzua nga Serbia”, kishte thënë Kurti.
Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar. Por, asnjëra palë, sipas BE-së, nuk po e zbaton atë.
Asambleja Parlamentare e KiE-së ka votuar për pranimin e Kosovës më 16 prill dhe vendimi përfundimtar ka kaluar te Komiteti i Ministrave, i cili mblidhet më 16 dhe 17 maj.
Kosova aplikoi për t’u anëtarësuar në KiE gati dy vjet më parë – më 12 maj, 2022.
Kosova nuk pritet të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE-së më 17 maj, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë.
Kurti u paralajmërua nga Macron, Scholz dhe Meloni se veprimet dhe qëndrimet e tij “në këtë çast vendimtar, do të jenë vendimtare” për synimet e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës.
“Topi tani është në fushën tuaj. Ne sinqerisht llogarisim në lidershipin tuaj”, raporton rel.
“Kryeministër, na lejoni të jemi të qartë: Ekziston një rrezik i madh që, pa përparim vendimtar drejt Asociacionit, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetje të mjaftueshme nga vendet anëtare. Ecja përpara në rrugën e sugjeruar nga QUINT-i do të dëshmonte përkushtimin tuaj për të drejtat e minoriteteve, dhe kështu do ta forconte qëndrimin e Kosovës dhe do ta ringjallte dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar sukses në aplikimin tuaj”, thanë ata.