Letra e Kurtit e delegjitimon parullën “S’ka babë, ka ide”

Letra e Kurtit e delegjitimon parullën “S’ka babë, ka ide”

Themeluesi i Vetëvendosjes Albin Kurti, dje iu drejtua aktivistëve të Vetëvendosjes në Këshillin e Përgjithshëm përmes një letre nga burgu. Në atë letër, që u shpërnda në publik disa orë më vonë, u tha një gjë mjaft shqetësuese: “Lëvizja Vetëvendosje ka dhjetëra mijëra faqe tekst, shkrime e intervista për diskursin e saj, por nuk i ka as dhjetëra faqe për teorinë dhe praktikën organizative.”

Kurti është një politikan dhe lider i pazakontë i skenës politike në Kosovë sepse mbeti vazhdimisht një i nënshtruar dhe kultivues i palodhur i parimeve dhe diskursit të partisë së tij. Partitë e tjera ishin thuaj të paprofilizuara ideologjikisht – dhe si rrjedhojë, e promovonin një logjikë harbute personalizuese. Por, të rikujtojmë atë që tha Kurti: “…as dhjetëra faqe për teorinë dhe praktikën organizative.” Me të drejtë shtrohet pyetja: si vepronte atëherë sekretari organizativ Dardan Molliqaj? Letra e Kurtit haptas lë të nënkuptohet përgjigjjen e kësaj pyetjeje. Del se në aspektin organizativ Vetëvendosje ishte në një terr teorik. Molliqaj dhe njerëzit e instrumentalizuar prej tij nuk vepronin në bazë të një teorie organizative, por në bazë të tekeve e mendimeve vetjake. Kështu shohim një terren tepër të rëndësishëm brenda Vetëvendosjes, të lënë djerrë, thuajse heterotopik në relacion me diskursin e saj.

E dimë mirë se në rrjetet sociale në Internet, posaçërisht në Facebook, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje e bënin namin duke linçuar e duke sharë secilin që guxonte të mendonte ndryshe. Madje, edhe gjatë kohës sa Albin Kurti publikisht bënte thirrje që të mos kishte polarizime të mëtejme, e debate të vazhdueshme vetëm për politikë. Edhe gjatë kohës sa Albin Kurti fliste për ‘thjeshtim diskursi e për mobilizim masash’ – duke i parashtruar dy nivele diskursive. Del se, e gjithë kjo formë e egër e vërsuljes ndaj oponentëve politikë, ndaj njerëzve të rëndomtë me mendime ndryshe, e ndaj analistëve – nuk është bërë si rrjedhojë e një strategjie të caktuar, por si rrjedhojë e një boshllëku të rrezikshëm idesh. Boshllëku i ideve është i rrezikshëm sepse krijon hapësirën për manovrime politike me qëllime krejtësisht vetjake nga individë të ndryshëm. Dhe kjo edhe ndodhi. Duke mos pasur një prapavijë teorike, u zhvlerësua mençuria, sepse të gjithë aktivistët e VV-së e përvetësuan një logjikë diskursi, dhe u afirmua guximi dhe harbutëria. Në vend se të kultivohej më tej ky diskurs, ai u shterpësua në tërësi – në të mirë të uniformimit të individëve brenda saj. Nuk kishte më rëndësi se çka thoje si aktivist por sa shumë mund të bërtisje, dhe sa mirë ofendoje. Kjo është një praktikë e formuar ndoshta spontanisht, por tepër e rrezikshme sepse në një anë shfajësonte njerëzit e Vetëvendosjes për mosdijet dhe të bëmat e këqija potenciale, dhe në tjetrën i lartësonte e i ngriste të guximshmit, zullumbërësit e mëdhenj. Kjo praktikë i angazhonte në një mënyrë zvetënuese aktivistët. Duke i përdorur si trupa, e jo si mendje.

Një përmbysje e tillë strategjike e logjike u mundësua pra nga ky boshllëk teorik në organizim. Praktika autonome organizimi nxorrën krye dhe i shërbyen Vetëvendosjes në mënyra të ndryshme. Guximi për të bërë sharje e linçime, por edhe përqeshje e poshtërime, triumfoi. Dhe ‘guximi’ – siç tha Albini – “pa dijen bëhet arrogancë e zullum”. E padyshim, një numër i madh aktivistësh i kanë shkaktuar zullum sferës publike në Kosovë, e poashtu edhe vetë Lëvizjes që provonin ta mbronin. Por, faji kryesor i bie atyre që ishin përgjegjës dhe që i angazhuan në një mënyrë të tillë.

Mbaj mend se në një mbledhje të Kuvendit, Albin Kurti e kritikonte planin qeverisës të Ramush Haradinajt se i mungonte metoda. Plani qeverisës tregonte se çka do të bënte, por jo se qysh do ta realizonte atë punë. Por, në një situatë të ngjashme e kemi edhe vetë Lëvizjen e Kurtit, sipas vetë fjalëve të tij. Ata i kanë bindjet e tyre, por nuk e dinë qysh t’i shpërndajnë ato. Qysh të ndikojnë opinionin publik. E qysh të funksionalizojnë vetë aktivistët e tyre.

Ata që po i kundërvihen Albinit këto ditë me parullën “S’ka babë, ka ide” del se kanë qenë të vetmit të cilët kanë operuar pa ide në Vetëvendosje. Sekretari organizativ nuk i ka pasur as dhjetëra faqe për teorinë dhe praktikën organizative të cilave do të duhej t’iu referohej në punën e tij.

Shpërndaje në: