Letra e dorëheqjes së Hodajt nga FFK – akuza Agim Ademit për skandale, kërcënime e presione në kombëtare

Taulant Hodaj u largua nga Federata e Futbollit e Kosovës, por letra e dorëheqjes së tij e ka një përmbajtje të “tmerrshme” për futbollin e Kosovës. “Gazeta Express” e ka siguruar emailin përmes së cilit Hodaj e njoftoi Agim Ademin dhe FFK-në me arsyet e dorëheqjes. E ato janë të shumta e të niveleve skandaloze. Besoni ose jo, Hodaj i përmendë Ademit presione ndaj futbollistëve të Kombëtares së Kosovës, kërcënime brenda kampit, keqmenaxhimin që po i humb shumë lojtarë Kosovës, rreshtimin e Ademit në UEFA e FIFA me shtete që s’e njohin Kosovën dhe e akuzon për sabotim me qëllim që Kosova të mos e fitoj rastin në CAS ndaj Rumanisë, transmeton Periskopi.
Para dy ditësh një ngjarje e bujshme ndodhi me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) pasi Taulant Hodaj përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Facebook njoftoi me dorëheqjen e tij nga shtëpia e futbollit.
Hodaj viteve të fundit punoi si ushtrues detyre i sekretarit të FFK-së dhe pastaj si shef i zyrës ligjore të saj. Konsiderohej si njëri prej personave kyç që e kishte nxjerrë FFK-në nga disa situata shumë të vështira viteve të fundit, në të cilat i rrezikohej pozita edhe presidentit të saj, Agim Ademi, pas së cilit në futbollin kosovar Hodaj shihej si njeriu i dytë për nga roli e ndikimi brenda FFK-së dhe në raport me UEFA-n, FIFA-n e institucionet e shtetit.
Në njoftimin publik të largimit nga FFK, Taulant Hodaj, e kishte dhënë një dozë kritike për FFK-në. Mirëpo, ajo çfarë shkroi Hodaj në Facebook është krejt e vogël në krahasim me përmbajtjen e dorëheqjes që Hodaj ia ka dërguar Agim Ademit dhe FFK-së.
Në fakt, nga FFK ka rrjedhur emali i dorëheqjes së Hodajt që e ka kontaktuar Hodajn. Ky i fundit e konfirmoi dërgimin e dorëheqjes me email dhe me arsyetimet e tij, por pa dashur të komentojë më shumë.
Hodaj ia përmend Ademit kërcënimet në kombëtare, presionet ndaj lojtarëve të kombëtares dhe humbjen e shumë lojtarëve nga keqmenaxhimi!
Mirëpo, emaili me dorëheqjen e tij e ka një përmbajtje tronditëse. Kjo pasi Hodaj në email, në mesin e arsyeve të dorëheqjes, i ka përmendur ndërhyrjet e FFK-së brenda ekipit kombëtar, e besoni ose jo, Hodaj i përmend edhe kërcënimet brenda kampit kombëtar dhe presionet ndaj futbollistëve të Kombëtares së Kosovës.
Alarmues është edhe fakti se Hodaj ia përmend Agim Ademit edhe humbjen e futbollistëve të shumtë nga Kosova drejt shteteve tjera, si rezultat i keq-menaxhimit, e që sipas Hodaj, FFK nuk e shfrytëzon mundësinë e ndaljes së atyre lojtarëve.
“Dobësimi i Kombëtares përmes menaxhimit të papërgjegjshëm: Ndërhyrje të panevojshme në ekipin kombëtar dhe presionet mbi lojtarë; Sjelljet e papranueshme dhe kërcënimet në ambientet e skuadrës së Kombëtares; Mungesa e infrastrukturës dhe kushteve bazë për zhvillimin profesional të zinxhirit të kombëtareve; Lejimi i largimit të lojtarëve të Kombëtares për shkak të menaxhimit të keq dhe mos përdorimi i të drejtës së FFK-së për t’i kundërshtuar pranë organeve kompetente”, shkruan Hodaj në dorëheqjen e siguruar.
Hodaj Ademit: Qëllimisht e dëmtove procesin e Kosovës në CAS ndaj Rumanisë
Një tjetër pikë kritike që Taulant Hodaj e përmend në dorëheqjen dërguar Agim Ademit dhe FFK-së është beteja mes Kosovës dhe Rumanisë në Gjyaktën e Arbitrazhit Sportiv (CAS). Në letrën që e ka siguruar Gazeta Express, avokati e akuzon Ademin për dëmtim të qëllimshëm të procesit, në disfavor të Kosovës, për shkak që nga lista e dëshmitarëve i kishte hequr futbollistët dhe selektorin e Kombëtares, e madje edhe Hodajn.
“Sabotimi i rastit në CAS Lozanë kundër Rumanisë: Përkundër paralajmërimeve me shkrim të mia dhe të avokatëve italianë që përfaqësojnë rastin, qysh në fillim keni hezituar dhe vendosni pengesa të pashpjegueshme, tani së fundi keni vendosur të hiqni nga dëshmia dëshmitarët kryesorë – lojtarët, trajnerin dhe mua – duke dobësuar qëllimisht çështjen. Ky veprim i ka dëmtuar rëndë shanset e Kosovës për të arritur drejtësi dhe për t’i mbrojtur futbollistët dhe ekipin kombëtar nga padrejtësitë e dokumentuara”, shkruan Hodaj në letrën dërguar Agim Ademit.
“Cili “interes kombëtar” mund të shtyjë të dobësohet rasti i Kosovës në CAS në këtë formë? Dy vite më parë, pas incidentit të rëndë në Rumani, FFK publikisht ishte deklaruar që është dërguar çështjen deri në CAS. Megjithatë, pa asnjë srsye të argumentuar vendos të mos e procedoni ankesën dhe nuk më lejuat të vazhdoj më tej”, thuhet në letër.
Hodaj akuzon Ademin për rreshtim të tij në UEFA e FIFA me shtete që nuk e kanë njohur Kosovën: “Vendimmarrje që bien ndesh me interesat kombëtare”
Ish bashkëpunëtori i afërt i Agim Ademit, me të cilin bashkë ishin edhe në UEFA e FIFA, e ka kritikuar kreun e FFK-së për rreshtim të tij në UEFA e FIFA me vendet që janë kundër interesit kombëtar të Kosovës. “Rreshtimi i FFK-së me shtete që nuk e njohin dhe madje e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës në votime dhe vendime të ndryshme në UEFA dhe FIFA është i papranueshëm. Këto veprime dëmtojnë drejtpërdrejt Kosovën dhe minojnë mbështetjen e federatave që kanë avokuar dhe votuar për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.”, thuhet në dorëheqjen e Hodajt dërguar Ademit.
Hodaj Ademit: Imazhi i futbollit dhe FFK-së është dëmtuar brenda dhe jashtë Kosovës
Ndërkohë, në letrën e dorëheqjes të siguruar nga Express, Hodaj ia bën me dije Agim Ademit se imazhi i futbollit dhe FFK-së është dëmtuar rëndë “në raport me sportistët, opinionin publik, institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare të futbollit”.
Ai ka thënë se Kosova ka shumë talent dhe se ata, bashkë me klubet, meritojnë “një udhëheqje dinjitoze nga institucioni i futbollit”, duke e akuzuar FFK-në për menaxhim joprofesional. Ai potencon se rasti i tij të shërbej për reflektim dhe ndryshim të FFK-së.