Letër publike Albin Kurtit

Lulzim Bunjaku Letra

I nderuari dhe shumë i respektuari z.Kurti,

Iu shkruaj nga mërgimi me shpresën që letrën time do ta lexoni.

Ngjarjet e fundit në Lëvizjen Vetëvendosje kanë shkaktuar shqetësim të madh te unë, por edhe te bashkatdhetarë tjerë që jetojnë këndej. Kjo sepse, ju dhe Lëvizja ishit shpresa e vetme dhe e fundit që në Kosovë do të bëhej mirë – dhe që do të kishim ndryshime të cilat populli po i pret qe 17 vite!

Dorëheqja e disa aktivistëve tuaj në këtë kohë nga lëvizja është për ne si ndarja e fëmijëve nga prindërit, që largohen duke i lënë të vetëm. Edhe pse ata mund të jenë ende të rinj e ende të fortë e të fuqishëm, pa fëmijët e tyre kurrë s’do të jenë të lumtur e të respektuar. Dhe nuk do t’ia dalin t’i realizojnë qëllimet e tyre.

Nëse një lëvizje lidhet me një emër, ajo nuk mund të jetë demokratike. Në mes të dy opsioneve: Albinit kryetar apo Lëvizjes së bashkuar – më besoni se me shumë dhimbje do e kisha zgjedhur të dytën!

Prandaj, të lutem që në emrin tim, por edhe në emrin e shumë mërgimtarëve që shpresat tona të mos i shuani! Ndarja në Lëvizjen tuaj do të thotë “dritë e gjelbër” edhe për 20 vitet e ardhshme për ata që e kanë kapur shtetin.

Iu lus të reflektoni, gjë që e keni bërë gjithë jetën tuaj!

Me respektin më të madh për ju,

Lulzim Bunjaku – Gjermani

Shënim: Periskopi i boton të redaktuara të gjitha letrat që vijnë në adresën e saj në Facebook ose në e-mailin [email protected] të cilat nuk përmbajnë fjalë fyese, nxitje të urrejtjes, racizëm etj.