Letër miqësie spektatorit të dramës « Gazetarja e kulturës vetvritet … »

Letër miqësie spektatorit të dramës « Gazetarja e kulturës vetvritet … »

Ka patur komente dashamire lidhur me realizmin skenik, gjë që më kënaq pa masë.

Por mendoj se janë keqkuptuar e anashkaluar disa detaje fort të rëndësishme. Që po mundohem t’i rreshtoj me komentim teknik e jo personal.

Realizmi bashkëkohor i Alban Beqiraj më pëlqen jo vetëm se ka vënë në skenë një tekst romanesk e pa personazhe « klasikë ». Porse, ndoshta pa dashur, ai ka arritur të bashkojë në një lakore të padukshme, bashkëkohoren me origjinat e teatrit.

Qysh në fillim trupa i drejtohet spektatorit : « Ti qe rri atje në errësirë » ….

Gjë që implikon direkt spektatorin, si pjesë aktive të shfaqjes. Pikërisht ngaqë i drejtohet me « ti » dhe jo me « ju » në shumës logjikisht ; sepse me Ti i drejtohet poeti korit në tragjeditë e lashta greke.

Ky nuk është një sulm ndaj spektatorit, por vënie e tij në rangun e lexuesit aktiv të asaj që do pasojë. Ndërkohë, në vijim trupa, në Prolog paraqet vargje të Shekspirit :« Ne këtu aktorë jemi/gjumi që na rrethon të gjithëve ! pra, fragment nga The Tempest, ku dramaturgu i madh ka për subjekt vetë aktorin, si dhe ne në shfaqjen « Gazetarja a kulturës vetvritet … »

Kur në Prolog trupa i drejtohet spektatorit « se prej aty na shihni mirë », kjo nuk është aspak ngucje, apo ironi e keqe. Përkundrazi, kjo na sjell direkt në origjinën e vetë fjalës Teatër. Teatron dhe Thea (d.m.th. hyjnesha e vargut të parë tëIliadës : Menin ajdé, Thea, PeleaideonAhileos) nëthelb do të thotë : Vështrim, akt i të vështruarit. Theatron pra është si « vendi nga ku shikohet (pra vendi i spektatorit), si dhe ajo çka po shohim. Etimologjia me termit nga fjala Thea, pra hyjnesha, tashmë ka humbur për ne supermodernët. Por dihet se teatri në origjinat arkaike ka qenë himn ndaj perëndisë së vreshtave e të yryshit e të dehjes e të valles, Dionisit.

Kështu, edhe rrebeshi apo « breshëria » e diskursit në shfaqje, shkon po aq në këto origjina të largëta të teatrit. Nëkëtë pjesë (që s’merret me spektakël për zbavitje tëvikendit) lënda dehëse jepet që spektatori të arrijë stadin e katarsisit pas shfaqjes. Nuk është fort me rëndësi nëse spektatori do mbajëgjithçka që u tha në këtë pjesë. Unë si autor nuk kam aspak mundësinë dhe pretendimin për të thënë fjalën e fundit për këto tema që preken aty. Por është me rëndësi që spektatori të jetë edhe lexues, edhe mendues. Pra, të mbushet. Ai që preferon rehatin, normalisht do të gjejë dikund tjetër, por jo këtu, në këtë teatër.

Në vijim të origjinave, përdorimi në skenë i mungesës së dialogëve normalë, e ka ngritur Trupën në rangun e Aktorit unik eskilian. Si asokohe kur kishte veç një aktor-poet në kenë, i asistuar nga Kori. E kjo ndoshta i ka vështirësuar punën vetë aktorëve. Prapë, në këtë pjesë, si një trupë e vetme solide, Trupa nuk dialogon « si zakonisht » (këtë ankesë e hasëm shpesh nëkomente). Por trupa këtu bëhet transmetuese aktive, marramendëse, dionisiake, e fjalës dhe e koncepteve në pjesë. Që dhe unë si autor i tekstit e thithamandej krejt ndryshe, sajë këtij uniciteti të fragmentarizuar nga ndërrimi brilant i skenave dhe nga polisemia e roleve të aktorëve. Kështu, sajë lojës me objektet dhe fjalët, Trupa është edhe aktori, edhe kori, ai që në lashtësi i jepte koordinatat aktorit dhe i tregonte spektatorit se ku ndodhemi.

Së fundi e theksoj sërish : ky nuk është koment për të justifikuar veten dhe trupën. Por ky koment erdhi nga vetë habia ime më vonë, kur m’u bënë këto lidhje të mizanskenës së guximshme bashkëkohore me tipare origjinore të teatrit. Ca më tepër që teatri, aktori, janë tema thelbësore e pjesës. Këtë e kanë kuptuar të gjithë shikuesit dhe komentuesit e nderuar.

Dhe kjo lidhje për mua është e thjeshtë në fakt : ne jemi ballkanikë ; e si rrjedhim jetojmë në bastione ku arkaikja bashkëjeton me modernen në shumë nivele. Dhe se ajo çka është artificëikonoklaste për modernët Perëndimorë, shpeshherëështë Frymë e realitet në zonat tona. Ndryshe s’ka si ta shpjegoj këtë « bashkëekzistencë » që ka ndjerë e realizuar Alban Beqiraj nëkëtë mizanskenë. Për mua vetë, kjo lidhje që m’u bë pas shfaqjes, është më me rëndësi se teksti im i shkruar.

 

Shpërndaje në: