Letër e hapur ateistëve të Facebook-ut
I.
O ju që nuk besuat, o ju që nuk keni zot, o ateistë të facebook-ut: dua të bëj një bisedë me ju!*
I kam do pyetje. Nxjerrni lapsat dhe shënoni. Por para se t’i them pyetjet do t’i tregoj përgjigjjet.
O ateistë facebook-u që m’i dëmtuat sytë dhe syzet me dënglat tuaja, kuptojeni se flamurin kuq e zi në Krujë më 1443 nuk e ngriti një ateist por një i krishterë ish-mysliman. O ateistë facebook-u, o mbeturina komunizmi, o të rinj e të reja të lindur nga spermë e kuqe, Pavarësinë e Shqipërisë më 1912 nuk e shpalli një ateist por një mysliman. Dhe as më 2008, deklaratën e Pavarësisë nuk e lexoi një ateist por një mysliman (ky i fundit mund të bëhej edhe i krishterë e budist po të ishte nevoja).
O ateistë facebook-u (ju të rrjeteve tjera sociale mos u përzini sepse unë kam vetëm facebook), a e dini që etërit e kombit tanë, rilindësit, ishin që të gjithë fetarë? O citues të Niçes, Sartrit, Kamysë, Daukinsit, Haukingut, Hitçensit, dreqit e të birit, ku e keni ndërmend të na çoni neve, si shoqëri? Ku e keni ndërmend ta çoni Kosovën? Nënvizojeni përgjigjjen nën “b”: në ferr.
Ju nuk besoni në zot, ju nuk besoni në shpirt, ju nuk besoni në ferr. Por ne besojmë! Ne, shumica e këtij vendi të bekuar. Dhe kurrë s’do të pushojmë së besuari. Ju dëshironi të na çoni në ferr, por ne kurrë nuk do t’iu lejojmë. O ateistë të facebook-ut, unë nuk jam as mysliman modern, as tradicional, as ekstremist e as radikal. As emrin nuk e kam thellësisht mysliman. Unë nuk e di as vetë se çka jam nga ana fetare (megjithëse kam simpati për katolicizmin dhe më qeshet me budizmin), por e di që jam sekular e liberal dhe do ta mbrojë deri në fund sekularitetin e këtij shteti.
Shikojeni veten në smartfonët me të cilët bëni selfie. Mos buzëqeshni. Mos e shkrepni foton. A s’e vëreni ligësinë në fytyrën tuaj? Shikojini edhe njerëzit me të cilët shoqëroheni. Një ambient ateist, një ambient pa zot dhe pa fe, është i prirur drejt degjenerimit, imoralizmit, veseve, seksit, korrupsionit.
“Gjithçka lejohet nëse nuk ka zot” – thoshte Dostojevski i krishterë te Karamazovët. Ju o ateistë mendoni se gjithçka iu lejohet. Bash gjithçka. Prandaj te ju vijnë njerëz me vese të ulëta, ambicje të sëmura dhe mendje të shthurrura. Njerëz bythëpalarë, flokëpakrehur e barkshpluar. Pse nuk diferencoheni prej tyre? Merreni përgjigjjen: sepse jeni nga i njëjti soj.
Ju doni të na përmbysni por nuk do t’ia dilni. I shfrytëzoni bajramët dhe pashkët tona që të shkoni nëpër diskoteka e kafene që të pini alkool e të përmbushni instinktet kafshërore. Boll keni punuar tinëzisht. Ne e dijmë mirë se çfarë doni. Doni të na merrni me vete në ferr. Doni të na bëni një Republikë ateiste si ajo e Enverit. Ju doni të rrëzoni kishat dhe xhamitë tona, në të cilat janë thënë e stërthënë lutje drejtuar Atij që ju nuk e besoni. Në të cilat lutje është derdhur një lum i tërë shpirti, dhimbjesh, dëshirimesh. Në thelb, të gjitha ideologjitë janë të njëjta: totalitare.
Ju nuk merreni me të lartësuarën por me të poshtësuarën. Ju jeni të poshtër. Materialistë. Njerëz të bahçes, që e bëni shurrën pas gardhit. Le ta themi të vërtetën troç: ne nuk iu duam. A iu urrejmë? Për momentin është kohë pushimesh dhe gjakrat janë ftohur por pas shtatorit edhe do t’iu urrejmë. Ne nuk mund të tolerojmë, më. Toleranca ndër-fetare nuk parashikon ateizmin tuaj.
Ju mendoni se kombi është konstrukt krejtësisht i zhveshur nga feja, por e keni gabim. Ju doni ta cullakosni kombin pa e kuptuar se çka do të thotë kjo. A e dini çka do të thotë kjo? Kjo nënkupton të besoni që shqiptari dhe sërbi nuk kanë asnjë dallim në thelb midis tyre. Ndërsa vetëm religjioni është ndërtues thelbesh dhe që s’e vetë kënd për rrethana. Për më tepër, lexojeni hymnin e flamurit ku “zoti e thotë me gojë” fatin e Shqipërisë.
Çka janë ato pordha të shkencës që i postoni ditë e natë në facebook? A i besoni ju vetë? Natyrisht që jo. Ju kenë rrëshqitur në pozerizëm. Nuk bëni poza vetëm me smartfonë por edhe me shkrimet që postoni. Si është e mundur të jetosh nëse e mendon pozitën tënde në kozmos si të parëndësishme? Si është e mundur të jetosh nëse e pranon teorinë e evolucionit? Si është e mundur të jetosh duke menduar se jeta jote nuk ka kuptim, se pas vdekjes tënde nuk do të shkosh askund?
Ju as vetë nuk i besoni ato që thoni se i besoni. E di unë. Për atë arsye, ju po na drejtoni drejt një rruge pa krye, drejt një qorrsokaku. Duhet ta merrni vesh që ekzistojnë vetëm dy rrugë: ajo e Lindjes dhe ajo e Perëndimit. Ne jemi nisur për në Perëndim. Atje po na presin. A e keni parë sesi respektohen fetë në Perëndim. A e keni parë sesi respektohen myslimanët liberalë në Perëndim? A e dini kush është krytar i qytetit të Londrës. Neve, atje po na presin.
Ndërsa juve, po iu presin në ferr.
V.
Pyetjet i morët, përgjigjjet i morët. Tash radhën e keni ju. Shkruani çfarë të doni, ndërmend s’e kam t’iu lexoj.
P.S. Për t’i evituar keqkuptimet (sepse shumë njerëz janë të përfshirë emocionalisht) jam i detyruar t’i shkruaj dy-tre rreshta seriozisht. Kjo është ironi! Unë nuk jam as në krah të Krajës dhe krajistëve që e mbështetën atë por as në krah të kundërshtuesve të tij. Për mendimin tim ky debat është i predestinuar të mos hapet sepse nismëtari i tij ka ngritur një mori paragjykimesh dhe ka operuar me disa koncepte të paqarta dhe të pashtjelluara. Një debat nuk çelet asnjëherë me qëllimin për t’u ndarë dhe për ta luftuar njëri-tjetrin. Debati – siç vërente Kanti – shtrohet me qëllimin për të arritur në akord. Debati çelet përmes pajtueshmërive dhe jo e kundërta. Nëse nuk pajtohemi në asgjë, nuk mund të debatojmë. Pyetjet e shtruara nga Kraja nuk kërkojnë të dijnë përgjigjjet e myslimanëve, të cilët ai qysh në fillim i inferiorizon duke iu thënë “myslimanë të facebook-ut”. Është e pakuptimtë të thirrësh në debat dikënd të cilit ia bën të qartë qysh në fillim se është inferior ndaj teje dhe se nuk mund të flasë për historinë, kulturën dhe kombin. Se nuk mund të prekë mitet. Është e pakuptimtë të përgjigjjesh vet në pyetjet që ia shtron tjetrit. Si ta mendojmë autorin e këtij teksti? Si një hoxho-prift kinse-sekular që e përdorë frustrimin krajan si metodë. Që arsyeton në atë formë. Mendoj se shoqërisht është e nevojshme të debatizojmë vetë debatin dhe pastaj të përpiqemi që të debatojmë me njëri-tjetrin.
P.P.S. Unë jam i pafe