Lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj përfaqësuesit të KZQ-së në gjykimin ndaj ish-deputetit të LDK-së dhe të akuzuarit tjetër
Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj Burim Ahmetit, përfaqësues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), me arsyetimin se edhe pse i kishte pranuar dy ftesa për të dhënë dëshmi nuk e ka arsyetuar mungesën në seancë.
“Për dëshmitarin, përfaqësuesin e KQZ-së, Burim Ahmeti i cili ka pranuar ftesën për herë të dytë dhe nuk është përgjigjur, trupi gjykues sjell aktvendim që për seancën e radhës të lëshohet urdhëresë Policisë së Kosovës për sjellje me detyrim”, tha gjykatësi i rastit, Musa Konxheli.
Në këtë rast, Shkumbin Gashi dhe Sylë Balaj po akuzohen për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 14 shkurt 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, në seancën e së martës ka vazhduar dëshminë eksperti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë (AKF), Burim Shala, i cili dëshminë e kishte filluar në seancën e 24 prillit 2024.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Ilir Morina, eksperti tha se deri më tani ka punuar 600 raste për ekspertiza të fotografive dhe se para gjykatës ka prezantuar dy ose tri ekspertiza deri më tani.
Ekspertiza në rastin konkret, Shala tha se është bërë përmes programit “Selebrate” dhe se datat e fotografive janë që të dyja më 23 shkurt 2020 dhe ora 17:49.
Gjithashtu, eksperti Shala sqaroi se pa marrë parasysh se sa herë bartet fotografia nga një telefon në tjetrin, përmes pajisjes që kanë si Agjencion, ruhet data e saktë e shkrepjes së fotos, e që sipas tij dy fotografitë janë bërë më 23 shkurt 2020.
Ai tha se bazuar nga përvoja e tij si ekspert, nuk ka hasur në rastet kur është bërë ndërrimi i datës së shkrepjes së fotografive para se ajo t’i dërgohet dikujt.
Në këtë seancë, lidhur me parashtrimin e pyetjeve nga ana e prokurorit Morina, kishte vërejtje mbrojtësi i Balajt, avokati Xhafer Tahiri, duke thënë se eksperti Shala nuk është ekspert gjuhësor që të na sqarojë nocionin e shkrepjes së fotografisë.
Më pas, në mungesë të përfaqësuesit të KQZ-së, dëshmitarit Ahmeti, seanca është ndërprerë. Ndaj tij, Gjykata lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim.
Në seancën e 2 shkurtit 2024 pas propozimit të mbrojtësit të të akuzuarit Kushtrim Gjevukaj, ndaj tij gjykata kishte veçuar procedurën penale, pasi që bëhej fjalë për një vepër tjetër penale.
Më 31 janar 2023, ishte aprovuar marrëveshja për pranim fajësie, ku i akuzuari Milot Balakaj ishte dënuar me 20 muaj burgim me kusht.
Ish-deputeti i LDK-së, Shkumbin Gashi, Kastriot Blakaj, Dardan Blakaj, Tahir Shala dhe Sylë. Balaj, në seancën e 17 marsit 2023, ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
I akuzuari Dardan Blakaj, në seancën e 24 prillit 2023 pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë, ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 11 muaj burgim me kusht, për akuzën për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
Ndërsa, në seancën e 29 majit 2023 pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë nga ana e gjykatës, Tahir Shala ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 20 muaj burgim me kusht, për keqpërdorim të votave.
Kurse, në seancën e 29 majit 2023 pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuari Kastriot Blakaj është dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 24 muaj burgim me kusht.
Më 8 gusht 2023, i akuzuari Shpetim Shala kishte arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me që rast ishte dënuar me 11 muaj burgim me kusht.
Aktakuza ndaj Shkumbin Gashit, Kastriot Blakajt, Shpëtim Shalës, Tahir Shalës, Milot Blakajt, Dardan Blakajt, Sylë Balajt dhe Kushtrim Gjevukajt ishte ngritur më 29 dhjetor 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Në aktakuzë thuhet se Gashi si kandidati i LDK-së për deputet, në bashkryerje me Kastriot, Dardan dhe Milot Blakaj, Shalën dhe Balajn kishin votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetonin në Austri, prandaj me këto veprime akuzohen se kanë kryer veprën penale:“Keqpërdorimi i të drejtës së votimit” dhe “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”.
Kurse i akuzuari tjetër Gjevukaj, thuhet se përmes kanosjes i kishte shkaktuar frikën Agim Abdylit, andaj ngarkohet për veprën penale “Kanosje”.