Lereni “testin” e Shpiragut! Turizmi e bëri testin e tij!
Janë disa ngjarje që krijojnë perceptimin mbi suksesin e turizmit. E para është shifra e lartë e vizitorëve, e dyta është vlerësimi për sezonin dhe e treta natyrisht fatalitet e sezonit. Po e nisim nga kjo e fundit.
Së paku tre ngjarje të dhimbshme të kësaj jave që kanë të bëjnë me një aksident fatal ndaj dy turistëve italianë në Ksamil, vdekjen e sotme të një 17 vjeçari në Sarandë dhe helmimin e 40 polakëve në Vlorë, janë sëmundje tipike të shoqërisë sonë, që lidhen me kulturën e papërgjegjësisë.
Sa i përket përshtypjeve mbi sezonin turistik, ato janë të shumta, por Shqipëria e ka fituar betejën për tu bërë destinacion.
Ka shumë kritizerë që duket që janë të mërzitur nga suksesi i turizmit, apo të tjerë që duan të duken interesant, dhe japin lloj lloj sugjerimesh se si duhet të zhvillohet turizmi shqiptar.
Dëgjoj njerëz që rekomandojnë të ndalet turizmi masiv dhe të krijojmë turizëm orgjinal shqiptar, (Kurrë s’kemi pasur turizëm).
Lexoj të tjerë që kërkojnë të ndalet turizmi i luksit dhe të kushtohet vëmendje turizmit mesatar, të tjerë që janë të shqetësuar se 60 për qind e popullit tonë nuk bën turizëm, e broçkulla të tjera…
Turizmi është treg dhe tregu ka rregullat e veta. Turizmi të zgjedh dhe nuk e zgjedh ti.
Turistët nuk vijnë në Sarandë, në Dhërmi, Lalëz, në Velipojë apo Shëngjin, se i dikton qeveria apo ndonjë institucion tjetër. Ata shkojnë aty se duan të shkojnë.
Disa duan hotele të shtrenjta, apo vila luksoze, disa hotele të lira, disa duan shtëpi, disa duan fshat disa duan kampingje etj.
E rëndësishme është që ata kanë vërshuar drejt Shqipërisë.
Zotësia jonë nuk është të dalim në kufi e ti pyesim “se mos je gjë për turizëm masiv se nuk lejohet” . Zotësia jonë është ta përballojmë këtë fluks dhe t’i përmbushim standardet me shërbimet tona.
E di që ka mijëra mungesa, që nga krahu i punës e deri tek eksperienca për të shërbyer për turizmin, por duke qenë një treg që sjell të ardhura, ai është një treg që do tu mbijetojë ketyre mungesave.
Nëse deri tani në Shqipëri kanë hyrë 7 milion turistë dhe nëse ata kanë paguar secili rreth 500 euro gjatë qëndrimit në Shqipëri, që është një shifër minimale, ata i kanë lënë Shqipërisë 3.5 miliard euro, aq sa është buxheti i shtetit.
Nuk ja kanë lënë Edi Ramës, as tatimeve. Ua kanë lënë shqiptarëve në xhepat e tyre. Pak prej këtyre merr dhe qeveria.
Gjithë fjalët e tjera janë broçkulla. Ju mund ta nxini Shqipërinë dhe t’i thoni që këtu vijnë lek droge dhe lek korrupsioni… Por asnjë baron droge dhe asnjë qeveri që mund të vjedhë 100 për qind të ardhurat e buxhetit, nuk sjell dot kaq shumë pare të ndershme në këtë vend sa sjell turizmi.
Turizmin nuk e komandon dot politika. Politika komandohet prej tij. Boll u lodh Albin Kurti duke bërë thirrje mos shkoni në Shqipëri per pushime, por e ka humbur betejën. Vetëm ai ka mbetur pa ardhur, se dhe qeveria e tij, e gjitha në vilat e Edi Ramës është.
Ndaj përuljuni turizmit, dhe vendosni gjithë energjitë e qeverisjes dhe shoqërisë në funksion të tij. Ai do të tërheqë pas bujqësinë dhe ndërtimin dhe do të ndryshojë Shqipërinë.
Nuk e ndryshon nafta e Shpiragut Shqipërinë. As e bën dot të pasur, as e bën dot të zhvilluar. E vetmja “naftë” që vë në lëvizje Shqipërinë është turizmi. Ai zhvillon fshatra dhe qytete, ai shpërndan lekët në çdo fshat dhe qytet shqiptar, në çdo familje që ka dëshirë të punojë dhe krijojnë një Shqipëri të gjallë, vibrante dhe plot shpresë.
E vërteta është që turizmi në Shqipëri nuk është më një ekspriment, por një industri që na ka zënë derën. Nuk është një pus nafte nga i cili presim çudira, por janë pare që po trokasin në derën e çdo shqiptari që do të punojë dhe të ndryshojë të ardhmen e qytetit fshatit apo shtëpisë ku jeton.
E vetmja detyrë e qeverisë është të mbaj shënim ”gjëmat” e këtij viti, dhe mundësisht të ketë një “Plan Marshall” për t’i zgjidhur shumicën e problemeve deri vitin tjetër.
Ndërhyrja urgjente në Ksamil dhe Sarandë për rrugët, është urgjencë kombëtare, vendosja e standardeve të sigurisë në rrugë po ashtu urgjencë kombëtare, ndërtimi i autostradës drejt Shkodrës po ashtu është urgjencë kombëtare…
Ka plot urgjenca të tilla të cilat nuk presin, nëse duam që kjo valë turizmi të rikthehet përsëri dhe më e fortë. Kjo nuk ka nevojë për atë “testin” e naftës Shpiragut. Turizmi e bëri testin e tij. Tani duhet ta përballojmë edhe si pasuri edhe si problem.