Leotrim Kryeziu, ylli i javës në BKT Superligë
Leotrim Kryeziu është zgjedhur futbollisti më i mirë i xhiros së 16-të të BKT Superligës së futbollit.
Sulmuesi kosovar ishte hero i FC Prishtinës në fitoren 3:0 ndaj Ulpianës në mesjavë.
22 vjeçari i realizoi dy gola, në secilën pjesë nga një, dhe ishte i pandalshëm për lipjanasit.
Prandaj, Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Bankën Kombëtare Tregtare, BKT Kosova, ia ndanë atij çmimin individual “Ylli i Javës”.
Golin e fundit në këtë edicion Kryeziu e kishte shënuar pikërisht ndaj Ulpianës në ndeshjen e javës së 7-të, që ishte mbyllur baras 1:1.
Me këtë fitore FC Prishtina ka ruajtur hapin me skuadrat e kreut të renditjes dhe aktualisht ndodhet në pozitën e 5-të të renditjes në BKT Superligë me 6 pikë më pak se lideri FC Ballkani.