Lëndimet e shpeshta të Benzemas, detyrojnë Realin të mendojë për zëvendësuesin e tij
Me lëndimet e shpeshta që po pëson, “bomberi” francez, Karim Benzema, “galaktikët” e Real Madrid duhet të mendojnë tashmë për një zëvendësues ideal të fituesit të “Topit të Artë”, ku momentalisht opsioni i vetëm brenda klubit për të zëvendësuar francezin është Mariano Diaz, i cili do të largohet nga klubi në verën e këtij viti.
Sipas mediave spanjolle, klubi tashmë po mendon për afrimin e një sulmuesi potent dhe që mund të ofrojë siguri në vijën e fundit të sulmit dhe emrat më të përfolur për merkaton e verës janë Dusan Vlahovic nga Juventus dhe braziliani Richarlison nga Tottenham.
Mediat raportojnë gjithashtu se “madrilenët” janë në kërkim dhe të një përforcimi të ri për anën e djathtë të sulmit, afrim ky që mund të shtojë “rivalitetin” brenda ekipit për 1 vend titullar, me Valverde dhe Rodrygo që janë të afirmuar tashmë në krahun e djathtë të sulmit “galaktik”.
Për këtë pozicion, klubi mendon për një tjetër francez, ku më konkretisht bëhet fjalë për anësorin e Bayern Munich, Kingsley Coman, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar mbi këtë transferim.