Legalizoni kanabisin, që të luftoni mafian dhe terrorizmin
Të flasësh për legalizimin e drogave të lehta (kam vite që e bëj një gjë të tillë) nuk është aspak e lehtë. Dhe e dini përse? Sepse të legalizosh, perceptohet sikur të thuash “vazhdoni merrni drogë”, madje “drogohuni, ju bëftë mirë”. Edhe tani në Parlament, më në fund, fillon debati mbi projektligjin, por konfuzioni midis legalizimit dhe nxitjes për përdorim droge është keqkuptim i madh që ka nevojë për diskutim. Legalizimi është krejt e kundërta e promovimit të konsumit. Legalizimi nënkupton të nxjerrësh në dritë atë që deri tani ishte mbuluar nga errësira më e thellë e tregut të zi.
Legalizimi i drogave të lehta do të zhdukë mafien? As që bëhet fjalë!Legalizimi i drogave do të zhdukë tërësisht tregun e paligjshëm? Natyrisht që jo. Po atëherë përse të legalizohet? Sepse, legalizimi do të dobësojë mafien duke ulur kapitalet e tyre dhe njëkohësisht do të ridimensionojë tregun e ligjshëm. Kush do të dojë të pijë një cigare do të preferojë me siguri substanca të kontrolluara, që mund të blihen në mënyrë të ligjshme, pa u dënuar dhe nuk do të shkojë të kërkojë një Pusher në fund të rrugës, nuk do t’i telefonojë shpërndarësit, duke komunikuar me kode në telefon për të kuptuar se është një moment i mirë për të shkuar për ta blerë apo jo.
Edhe ta mendosh se është kaq e vështirë që t’u dalësh kundër atyre që janë kundër, pa apelim. Për kë nuk do të dëgjojë arsye sepse -thotë- “nuk mund të zbritet në të njëjtat kushte me mafien”, “nuk mund të pranohet e keqja më e vogël”, duhet të çrrënjosim drogërat, jo t’i bëjmë ato të ligjshme”. Kush mund të thotë të kundërtën, teorikisht me këto parime? Prindi që druhet për fëmijët e tij? Vëllai që ka zbuluar se i vogli i shtëpisë merr drogë të lehtë fshehtazi? Le të mos tallemi: Askujt nuk do t’i shkonte në mendje të vinte në diskutim këto parime të përgjithshme. Por, na duhet të bëjmë llogaritë me botën reale. Dhe bota reale është ajo që kush pi dy paketa cigare në ditë rrezikon të sëmuret nga kanceri. Bota reale është ajo që kur pi tre koktej je i rrezikshëm për veten dhe për atë që të gjendet përballë nëse je në timon. Në Itali viktimat e duhanit janë konsideruar mbi 80 mijë në vit. Viktimat e alkoolit 40 mijë. Dhe në të kundërt nuk ka asnjë viktimë të vetme nga drogërat e lehta. As edhe një.
Nuk do të mundohem të bind skeptikët duke thënë se, duke i vendosur kanabisit të njëjtën taksë si duhanit kasës së Shtetit do t’i shtoheshin nga 6 deri në 8 miliardë euro. Por, ndoshta mund t’i vendos në pozitë po t’u kujtoj se dogërat e lehta janë mall shkëmbimi midis organizatave mafioze edhe atyre terroriste. A e dini se si u financua atentati në Spanjë në vitin 2004? Me hashashin që grupet pranë Al Kaedës i kanë shitur edhe kamorrës napoletane. Lazarat, në Shqipëri, kapitali botëror i marjuanës, përfundoi nën kontrollin e grupeve kriminale që mbështesin Daesh. (Në vitin 2014 forcat e Policisë së Shtetit shqiptar realizuan në fshatin Lazarat të Gjirokastrës operacionin për shkatërrimin përfundimtar të sipërfaqeve me narkotikë dhe goditjen e elementëve të inkriminuar- Shënim i redaksisë).
IS (shteti islamik) kontrollon tashmë një prodhim prej më shumë se 5 miliardë dollarë. Po bari dhe hashashi janë bërë mjetet e para të financimit për organizatat fondamentaliste. Dhe legalizimi do të ishte një mënyrë për t’u hequr organizatave kriminale nga 8 deri në 11 miliardë euro në vit.
Ku dua të dal? Pikërisht këtu, në qoftë se bota në të cilën kalojmë nuk na pëlqen, kemi përballë nesh dy mundësi. E para, është të mendojmë për botën ideale që dëshirojmë dhe të perceptojmë si mbikëqyrje të gjitha masat e ndërmjetme, ato që ndërhyjnë duke u riformuar gradualisht, dhe ngaqë nuk arrijnë të zgjidhin problemin në mënyrë të menjëhershme dhe që në total shihen si të padobishëm. Idealizmi do të shpëtojë, por realiteti do të shkatërrohet gjithmonë edhe më shumë, duke u larguar kështu në mënyrë të pakthyeshme nga ajo botë sa ideale aq edhe e paarritshme. Mundësia e dytë që kemi është ajo për të provuar “riformimin” e realitetit në të cilin jetojmë, duke provuar të gjykojmë, duke arsyetuar, duke u matur me kompleksitetin e problemeve reale. Shembull. Mafiet ekzistojnë, bëjnë biznes me trafikun e drogës, por edhe me ndërtime, prokurime, shërbime, kumar, kudo ka një të metë në sistem, ose më mirë, kudo ka një “pyetje” të cilës duhet t’i gjesh një “ofertë” korrispoduese. Por nga të gjitha këto fusha më fitimprurësi mbetet tregu i drogërave. Sepse është më i rrezikshmi, por edhe ai ka nevojë për kapitale që pastaj të merresh me pjesën tjetër. Ku mendoni në fakt se organizatat i gjejnë të hollat për të mundur të korruptojnë administratorë publikë dhe politikë? Ku mendoni se i gjejnë burimet që të mundin të krijojnë nga hiçi ndërmarrje konkurruese në treg, madje me tregun ndonjëherë as që u duhet të konkurrojnë, sepse fitojnë diku tjetër dhe kështu thjesht i pastrojnë?
Përgjigja e gjithë këtyre pyetjeve nuk mund të jetë mantra e zakonshme: “Edhe Paolo Borsellino ishte kundër legalizimit”. Dhe jo vetëm sepse Borsellino thoshte mbi të gjitha diçka tjetër: “Nuk është e nevojshme të stabilizosh një ekuacion absolut ndërmjet mafies dhe trafikut të drogërave, mafia ekzistonte shumë më parë edhe me shumë gjasa, nëse ndonjëherë do të duhet të zhduket trafiku i drogërave, mafia do të ekzistojë edhe më vonë.Vetëm amatorët e kriminologjisë mund të mendojnë se duke legalizuar trafikun e drogës, do të zhdukej krejtësisht trafiku klandestinë”. Shumë e drejtë. Në fakt mafia nuk do të zhduket. Por duhet të zbusë plagët, sepse një shtet që legalizon drogërat e lehta është një shtet i fortë, që nuk ka frikë të ndeshet.
Le të shikojmë pak faktet. Portugalia në 2001 dekriminalizon kanabisin dhe atje 15 vjet më vonë konsumi pakësohet. Uruguaj në 2013 dhe Kolorado në 2014 legalizojnë tregtimin për qëllime rikreative: edhe atje konsumi pakësohet në vend që të rritet.
Por nuk mjafton. Kush vazhdon t’i dalë kundër legalizimit arsyeton pak a shumë kështu; në qoftë se drogërat e lehta do të legalizoheshin do të rritej tregu i drogërave më të rrezikshme, që shteti nuk mund t’i legalizojë në asnjë mënyrë (drogëra kimike, kokainë, heroinë). Por përse vallë? Në qoftë se drogërat e lehta do të bëheshin të lehta, kush i përdorte më parë mund t’i përdorë përsëri pa u ndëshkuar. Tregu i drogërave, si çdo treg tjetër, bëhet nga kërkesa dhe oferta. Dhe sot organizatat kriminale i përgjigjen në mënyrë perfekte kërkesës për drogëra të ndryshme nga ato të lehtat, duke qenë një fushë ku vëmendja e mafies është gjithmonë ë përpiktë. Është e qartë se si në këtë front nuk do të ndryshonte asgjë edhe kush sot është përdorues i drogërave të lehta me siguri nuk do të shtyhej të përdorte kokainë, heroinë apo metanfetaminë vetëm, sepse drogërat e lehta do të bëheshin të ligjshme.
Duket një barsoletë. Dikush deri dje merrte vetëm drogëra të lehta, por për kënaqësinë ndaj shkeljes së ligjeve, ka vendosur të përdorë kokainë. Mua më duket një arsyetim jo logjik. Po juve? Ja pse fakti që Parlamenti sot diskuton një ligj modern të legalizimit është duke ndërmarrë një akt revolucionar. Sigurisht që shpresa është që të mos bëhet, si ndodhi me ligjin për ligjet civile (Ddl Cirinnà), objektiv i politikës më revolucionare. Le të mos lejojmë që diskutimi të përqendrohet veçanërisht në kultivimin e kërpit për përdorim terapeutik, por le të pretendojmë përgjegjësi; duhet të diskutohet për legalizimin e kanabisit për përdorim rikreativ, mjeti i vetëm që kemi për frenuar pushtetin e organizatave kriminale dhe për të zvogëluar konsumin. Shtypja ka dështuar.
Është koha që parlamentarë dhe politikanë italianë të mbajnë një qëndrim në favor të këtij ligji dhe ta bëjnë me vendosmëri. Mjaft me çështjet parimore dhe me të dhënat e nevojshme, me të cilat duhet punuar për të dobësuar mafien. 1300 ndryshimet të prezantuara nga Zona popullore dhe heshtja, rreth saj, e presidentit të këshillit tregojnë edhe një herë, se si politika nuk arrin të lirohet nga ajo çakëll që ka emër të veçantë, dhe quhet kërkimi i konsensusit. Në sensin më të thjeshtë vlerësimi është fuqi. Në të kundërt energjitë e reja sociale dhe zhvillimi do të lirohen pikërisht nga kurajua në temë të të drejtave, ashtu si ndodhi me ligjin e lidhjeve civile. I njëanshëm, por të paktën ekziston. Për këtë apeli im u drejtohet mbi të gjitha atyre që nuk kanë menduar kurrë të përdorin drogëra të lehta apo që duan një përdorim masiv. Slogani është: “Nuk dua të drogohem, e urrej konsumin. Dhe për këtë legalizoj”.
/Repubblica.it/
Përkthimi: Shekulli