LDK + VV? Jo faleminderit!

LDK + VV? Jo faleminderit!

VV nuk mund dhe duhet të bëjë koalicion me LDK-në. As parazgjedhor as paszgjedhor. Dhe as  me Isa Mustafën në përbërje as pa të. Me asnjë çmim. Ç’është e vërteta Lëvizja me tu certifikuar si parti politike para pak ditësh i hapi rrugën vetes për koalicion, duke u kthyer kështu nga një lëvizje me prirje emancipuese në parti kalkuluese, por deklarata e Visar Ymerit në emisionin Rubikon në KTV, se mund të ngjajë një koalicion “me një LDK tjetër” është dyfish ikje nga parimet. Kjo sepse vetë eteri kuptimor i PARTisë siç tregon edhe rrënja e këtij emërtimi, lidhet me copën jo tërësinë; me të shkoqiturën dhe jo gjithëpërfshirësen.

Një hap i tillë, nuk gjen mbështetje as historike, as rrethanore, as idealiste. Kjo sepse LDK e VV janë krijuar në rrethana të ndryshme historike, mbi parime të ndryshme dhe kanë ideale të ndryshme. LDK ishte ‘elita’ kulturore dhe shkollare e ish-titistëve që kërkoi ndihmë dhe shpëtim jo çlirim në një rrumpallë të madhe post-89, e së cilës iu bashkua pjesa dërmuese e popullit, meqë e tillë ndjehej edhe vetë.  Atë tek i cili shumëkush nga VV sheh inspirimin për liri, Adem Demaçi, LDK e ka anatemuar me vite, dhe vitet e tija në burg indirekt i konsideron fantome.

Edhe për kah sociologjia, LDK konstituonte atë që Marksi do e quante ‘lumpen proleteriat’ (njerëz akoma të pavetëdijshëm për situimin e tyre historik dhe klasor). LDK po ashtu ka pasur gjithmonë, dhe e ka akoma edhe një cen të fortë kulturalist: dëshirën për konvertim kulturor të shqiptarëve.

VV në anën tjetër, megjithëse me një deficit në kohë dhe ndërprerje në të pasurit lidhje të drejtpërdrejtë me lëvizjen studentore dhe në një masë edhe ilagalen shqiptare, pretendon të jetë vazhdimësi e tyre. Lindi në një kontekst po aq të ndjeshëm politik: pas trazirave të marsit 2004, dhe me fillimin e negociatave. Pretendon të jetë lëvizje emancipuese për liri, jo parti kalkuluese dhe që përmes kalkulimeve vije në pushtet.

Natyrisht se VV synon dhe duhet ta synojë pushtetin, por jo duke shkelur mbi idealin e vet emancipues. Madje do të ishte pikërisht fusha e marrëdhënieve me ndërkombëtarët aty ku dy – tashmë partitë – do të refuzoheshin fuqishëm. Natyrisht edhe rrumbullakësimi i sovranitetit të vendit do të dilte shkaktar fërkimi: LDK merr erë edhe më pak se PDK, për sa i përket veriut të vendit.

VV ka kundërshtuar sistemin e UNMIK-ut, entet e proklamuara për institucione, dhe ka vegjetuar një prirje më reflektuese për ta bërë qytetarin politik. Ka deklamuar kundërshti ndaj dëgjueshmërisë servilosëse në relacion me Serbinë dhe ndërkombëtarët, përkundër LDK-së së prirur për ta pllakosur agoninë, limontinë e hibernimin politik, bazuar në njëfarë përjetimi prijetar dhe piemontesk të politikës dhe pushtetit, ku populli shikohej gjithmonë i njejtë me partinë (reliktë nga koha e titizmit), si dhe për t’i bërë aminin çdo trysnie që vije nga jashtë.

Fakti se asnjë parti nuk do e kalojë 30%-shin do të duhej të perceptohet si fitore e VV-së, e jo si alarm për nguti. Një garniturë e ngushtuar dhe që siguron edhe garë të ngushtë ne rezultate s’është që shkon për shtat me natyrën e idealizmit. Përkundrazi, do të duhej të piketohej pjesa e papërfaqësuar e popullatës, dhe të shtyheshin edhe më tej idealet mbi të cilat VV është e ndërtuar.

VV nuk do të duhej të gabonte në sensin që angazhimin e saj politik edhe ashtu të vonuar (2005 e këndej), ta pjesëtonte me shndërrim në parti politike e aq më tepër të hyjë në vallen e paqëndrueshme të natyrës së koalicioneve. Futja brenda sistemit politik/pjesëmarrja në Parlament, zaten ka qenë kompromisi më i madh që mund të bëhej.

VV do të duhej të reflektonte se përdredhja e idealizmit në gjysmë të rrugës, është kalbëzim edhe më i keq se sa “shpëtimi i vendit nga PDK-ja”. Kujtojmë se VV nuk synon shpëtimin e askujt, por çlirimin. LDK është zaten e poshtër dhe nuk habit më askë, që në mos para zgjedhjeve, pas zgjedhjeve t’i shkojë PDK-së sërish në shtrat. Të paktën e virgjëra VV të mos e bëj një gjë të tillë.

 

 

Shpërndaje në: