LDK: Qeveria Kurti ndryshoi ligjin për tatim dhe do të paguhet trefish më shumë nga janari 2025

LDK: Qeveria Kurti ndryshoi ligjin për tatim dhe do të paguhet trefish më shumë nga janari 2025

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një njoftimi për media ka thënë se nga janari 2025 do të dyfishohet dhe trefishohet tatimi në pronë. LDK thotë se është e shqetësuar me ndryshimet që janë bërë në Ligjin për Tatimin në Pronë të miratuara nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas LDK-së, ndryshimet në ligj parashikojnë tatimin edhe për tokat bujqësore të kultivuara, duke rënduar më tej barrën mbi qytetarët, bizneset dhe fermerët.

“Ky ndryshim përbën një pengesë për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e sektorit privat në vendin tonë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK thotë se nëse Qeveria e ardhshme do të drejtohet nga Lumir Abdixhku, një ligj i tillë do të rishikohet për t’u siguruar që qytetarët të mos paguajnë më shtrenjtë.

Reagimi i plotë:

Nga janari 2025, bizneseve u dyfishohet e trefishohet tatimi në pronë.

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj për ndryshimet e fundit në Ligjin për Tatimin në Pronë, të miratuara nga qeveria e tanishme. Ligji i ri prezanton një normë të dyfishtë progresive të tatimit në pronë dhe parashikon tatimin edhe për tokat bujqësore të kultivuara, duke rënduar më tej barrën mbi qytetarët, bizneset dhe fermerët. Ky ndryshim përbën një pengesë për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e sektorit privat në vendin tonë.

Qeveria e ardhshme, e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, do të rishikojë Ligjin për Tatimin në Pronë, duke u siguruar që qytetarët të mos paguajnë një normë të dyfishtë progresive të tatimit në pronë. Ne do të rikthejmë praktikën e mëparshme, ku tatimi në pronë bazohet në vlerën e tregut të pronës, ku vetvetiu ata që kanë prona me vlerë më të madhe paguajnë më shumë, ndërsa ata me prona me vlerë më të ulët paguajnë më pak. Për më tepër, Lidhja Demokratike e Kosovës garanton se askush nuk do të paguajë tatim për tokat e punuara, duke ndihmuar fermerët dhe inkurajuar zhvillimin e bujqësisë.

Qeveria e ardhshme, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës me kryeministër Lumir Abdixhikun, do të krijojë politika që mbështesin rritjen dhe zhvillimin e biznesit, duke eliminuar barrierat e panevojshme dhe duke ofruar mundësi reale për përparim në ekonomi dhe më gjerë. Përmes një qasjeje të drejtë dhe të ndershme, ne do të sigurojmë që ekonomia të zhvillohet në dobi të mirëqenies dhe prosperitetit të vendit tonë.

 

Shpërndaje në: