LDK po bën me Demaçin atë që bëri Rugova me Jasharin

LDK po bën me Demaçin atë që bëri Rugova me Jasharin

Shkruan: Jetlir Buja

Mungesa e standardit të gjuhës shqipe deri në vitin 1972, standardi shtypës [për ne] i vitit 1972, pastaj mungesa e etimologjisë së fjalëve shqipe dhe huazimi joskematik i fjalëve të huaja – bëri që elita intelektuale në Kosovë të mbeste tepër tribale e bimore. Ngjarje më domethënëse u bënë thashethemet se sa fjalët publike. Sepse, që fjala publike të ketë rëndësi, ajo duhet t’i nënshtrohet një farë rregullësie ligjërimore, duhet të jetë konsistente dhe për të duhet të merret përgjegjësi. Fjala publike është armë e luftës për pushtet. Por, njësoj janë edhe thashethemet. Veçse ato, janë shumë më vulgare dhe më të lira. Ato shmangin përballjen dhe përgjegjësinë.

Standardi shtypi një pjesë të madhe dijesh e kujtesash. Ai krijoi njerëz të rëndomtë që belbëzojnë, që nuk dinë të flasin e të shkruajnë sipas tij dhe intelektualë pa bindje të njëmendta.

Fjala publike u bë e pakuptimshme, e dalëngadalë, edhe e pavlerë. Thashethemet u bënë armët e vetme politike. Edhe sot, ne shohim se si më shpesh materializohen në ngjarje thashethemet se sa fjalët publike. Të kujtojmë thashethemnajen që e parapriu ndarjen e Vetëvendosjes dhe në të kundërt, opozitarizmin e AAK-së dhe Nismës ndaj PDK-së që u shkërmoq si fjalë publike nga lidhja e koalicionit qeverisës. Ose, edhe rrenat e Thaçit.

Në tjetrën anë, kur fjala publike e nënshtron veprimtarinë publike, ajo shihet si vulgare. Ta zëmë, mosnderimi i simboleve të Kosovës nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Ose, fakti që nuk kanë pranuar asnjëherë t’i shkojnë te varri i Ibrahim Rugovës për me nderu. Ose, edhe fakti që Ibrahim Rugova si një pacifist e pasivist në politikë nuk kishte shku asnjëherë për nderim te varret e familjes Jashari.

Edhe sot, mosprania e LDK-së në varrimin e Adem Demaçit u pa si veprim i papranueshëm. Madje, edhe nga disa njerëz të LDK-së. Por, ky veprim e bën të rëndësishme fjalën publike të Demaçit – i cili e kishte sharë dhe sulmu vazhdimisht Rugovën dhe partinë në fjalë për më shumë se dy dekada. Por shoqëria me koncepsione ende-bimore dhe ende-tribale nuk rresht së kërkuari që të pajtojë të papajtueshmet, duke redaktuar ashpër ligjërimet publike dhe duke censuru çdo antagonizëm.

P.S. Pas lufte, Demaçi ishte frymëzues kur i mbronte serbët e Kosovës. Ishte frymëzues edhe para lufte derisa e rriste trimërinë dhe vendosmërinë e ushtarëve të UÇK-së. Ishte frymëzues edhe me gjithë veprimtarinë e tij ndaj një regjimi shtypës [e që, megjithatë ia merrte fjalën më seriozisht se regjimi i sotëm]. Por, pavetëdijshëm ai i shërbeu rritjes së sentimentit anti-rugovist në fraksionet radikale të UÇK-së gjë që e dëmtoi LDK-në, por i dëmtoi edhe frymën çlirimtare të UÇK-së.

Shpërndaje në: