LDK në Udhëkryq: Neutraliteti që rrezikon të ardhmen e partisë

Shkruan: Shenoll Muharremi
Asnjë parti nuk garon për të mbetur në opozitë. Argumenti që “populli na tha të rrimë në opozitë” është i pavërtetë. Cili popull të voton ty për të qenë në opozitë, cili votues? Asnjë.
Njerëzit të votojnë për të qenë në qeveri, për të zbatuar ndryshimet dhe transformimet, ashtu siç je zotuar. Për të realizuar premtimet që u ke dhënë gjatë fushatës. Të shkosh e të kërkosh vota intensivisht dhe në fund të thuash “nuk dëshirojmë të qeverisim e as të jemi pjesë e asnjë qeverie, dëshirojmë të qëndrojmë në opozitë” është njëfarë tradhtie ndaj elektoratit dhe votuesve.
Qëndrimet e LDK-së hapin rrugë për një qeveri të LVV-së dhe sabotojnë një plan që partitë opozitare të formojnë qeverinë. Një kaos i vërtetë. Nuk mund të jesh një parti politike serioze dhe të gjenerosh pasiguri të tilla. Të mos mbash asnjë anë. Të jesh jo-bashkëpunues dhe kontradiktor. Të shohësh vetëm interesin e ngushtë. Të rrezikosh të ardhmen e vendit dhe të partisë sepse nuk ke guxim të marrësh vendime dhe të mbash një qëndrim.
“Duam vetëm qeveri stabile” e të njejtën kohë “nuk duam me LVV!” Si është e mundur kjo? Kjo është një situatë e pamundur edhe teorikisht jologjike. Qeveri stabile pa LVV-në nuk ekziston, për shkak se ashtu ka vendosur elektorati. Pra ti nuk dëshiron as qeveri stabile, as të dobët, as të fortë, as kompetente… po dëshiron status quo. Mjegull. Pasiguri. Ose po dëshiron, ashtu si Albin Kurti, “o krejt, o asgjë”. LDK nuk është sikur LVV partie e ekstremiteteve, por një parti krejtësisht ndryshe, më e thellë dhe me më shumë ngjyra, racionale.
LDK duhet të rishqyrtojë qëndrimet e veta. Ajo që kemi dëgjuar mbrëmë nuk ka logjikë e as arsye. Është në rregull të mbash një anë, ose me LVV-në ose me opozitën, por të mos mbash asnjë anë është papërgjegjësi. Në kontekstin që po kalon vendi dhe bota, kjo gjeneron një krizë institucionale dhe mund të rrezikojë të ardhmen e Kosovës. Fundja, kjo strategji nuk siguron rritjen e partisë, përkundrazi, rrezikon rënien e saj.
Gjithashtu përbuzja e partive të tjera opozitare është një gabim arrogant. PDK dhe AAK nuk po gabojnë aspak kur tentojnë të krijojnë një qeveri pa LVV-në. Kjo është krejtësisht legjitime dhe një strategji e arsyeshme politike. Refuzimi (estetik) që LDK-ja po i bën, sidomos PDK-së, mund t’i hakmerret në të ardhmen. Kjo parti tani as nuk e do LVV-në, as PDK-në. Çfarë dëshiron atëherë? Vetën në aspektin egocentrik dhe jobashkëpunues?
Nëse strategjia e partisë është të mbetet në opozitë edhe 10 vjet, kjo mund të realizohet me këtë qasje. Sepse LDK-ja ndoshta edhe për 10 vjet nuk do të mund të fitojë vendin e parë në Kosovë me këtë strategji ‘as mish as peshk’. E ironia është se edhe kur ta fitojë, përsëri do të duhet të bashkëpunojë me partitë e tjera, sepse nuk mund të krijojë një qeveri e vetme. A nuk po mëson nga rasti i LVV-së, e cila me 48 mandate e 42% e ka të vështirë të krijojë qeveri? Pse atëherë këto qëndrime që nuk sjellin asnjë dobi për partinë?
LDK në çdo skenar ku i ofrohet mundësia për të drejtuar qeverinë, duhet ta pranojë. Kjo do ta bënte atë nga një “humbëse” relative në fituese absolute të zgjedhjeve. Nga partia e tretë, që nuk arriti potencialin, do të bëhej partia me rezultatet më të suksesshme.
Nëse vazhdon të mbajë qëndrime të tilla, ajo nesër mund të humbasë edhe më shumë. Këto qëndrime të fundit kanë hapur rrugën për një qeveri stabile LVV-PDK që e zgjidh edhe nyjën e presidentit. Kjo do të thotë se LDK-ja mund të mbetet në opozitë edhe për 4 vite të tjera me këtë qasje.
Për më tepër, LDK mund të humbasë edhe Prishtinën në zgjedhjet lokale këtë vit. Mund të humbasë edhe drejtimin e kokën e vet, sepse njerëzit nuk të votojnë për të mbetur neutral dhe për të synuar qëndrimin në opozitë. Thjesht, njerëzit nuk të besojnë më. Këto qëndrime, nëse nuk ndryshojnë, mund të krijojnë një krizë për partinë dhe menaxhmentin e saj gjatë 18 muajve të ardhshëm që nuk dihet se ku e navigojnë partinë pastaj në një skenë tepër dinamike ku LVV dhe PDK janë aktualisht forca më dominante.