LDK: Mbështetja e palëkundur e ShBA’ve dhe aleatëve tjerë rezultoi në avancimin e Kosovës në AP të NATO’s
Lidhja Demokratike e Kosovë nëpërmjet një reagimi ka theksuar se “mbështetja e vazhdueshme dhe e palëkundur e ShBA-ve dhe anëtarëve tjerë të NATO-s sot rezultoi në avancimin e Kosovës nga vëzhguese në anëtare të asociuar” në Asamblenë Parlamentare të NATO’s.
Tutje LDK thekson se deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO mbetet shumë punë.
“LDK-ja do të vazhdojë kontributin e saj, të filluar qysh më 1989, drejt integrimit të plotë të Kosovës në institucionet euroatlantike”, thuhet në komunikatë.
“Miqësia dhe bashkëpunimi me Amerikën dhe NATO-n ishin dhe mbeten pjesë themeltare të vizionit të Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova. Përkushtimi i Kosovës tash e disa dekada për paqen, stabilitetin dhe parimet demokratike u pasqyrua në mbështetjen e NATO-s ndaj vendit tonë. Kosova dhe qytetarët e saj janë gjithnjë falënderuese ndaj shteteve anëtarë të NATO-s që edhe sot, si gjithnjë, na qëndruan pranë dhe me votën e tyre mundësuan avancimin e statusit tonë”, theksohet më tej.