LDK-ja shembull për demokracinë: Veç me dhunë, ka kuptim në Kosovë

LDK-ja shembull për demokracinë: Veç me dhunë, ka kuptim në Kosovë

Në vitin 2006, LDK-ja e pësoi një traumë të madhe me vdekjen e presidentit Rugova. Duke qenë partia më e madhe në vend, me pushtet shumë të madh, ambicjet politike nxorrën krye dhe në atë periudhë post-traumatike kulmuan në një përleshje të shëmtuar fizike mes grupeve që përkrahnin dy kandidatët për kryetar të partisë. Sot, të dy kandidatët e atëhershëm, Daci e Sejdiu, janë figura të konsumuara dhe pa kurrfarë rëndësie në skenën politike. Sejdiu i zuri vendin Dacit, e më vonë, Mustafa i zuri vendin Sejdiut. Por në prapavijë, u çel një hapësirë e madhe për zhvillime të tjera.

Kuvendi i përleshjeve fizike, ose gjuajtjes me karrige në LDK, mendoj se është ndodhia më e shëndetshme demokratike që i ka ndodhur një partie politike në Kosovë. Ambicjet politike u shfaqën haptas, njerëzit u rreshtuan haptas, dhe lufta politike kulmoi me përleshje fizike. E përleshja fizike, është i vetmi element që tregon se jemi brenda një habitati. Se nuk po e falsifikojmë performimin, shfaqjen.

Pa përleshje fizike, si një demonstrim i qartë i ambicjeve, në një ambient të kontaminuar me teori konspirative e serivilizëm, është e zorshme të merret seriozisht demokracia e brendshme në partitë politike në Kosovë. Një konfrontim i ashpër ndodhi muajt e kaluar edhe në Lëvizjen Vetëvendosje. Në një demokraci të brishtë që ende shpurdhë në hapat e parë të saj, nuk mund të zhvillohen luftërat më të sofistikuara për pushtet. Vrazhdësia e primitiviteti pluskohen në ajrin e ndotur të hapësirave publike, dhe natyrshëm e njëjta gjë ndodh edhe në partitë politike. Por kjo duhet pranuar, ashtu siç duhet t’i pranojmë kushtet tona atmosferike. Janë përtej nesh.

Në PDK dhe AAK nuk ka pasur asnjëherë përleshje fizike, dhe për rrjedhë, asnjëherë luftë politike. Te PDK-ja, Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj, u larguan nga partia pa luftë. Edhe largimet e tjera u bënë në këtë mënyrë, duke dëftuar kësisoj një sëmundje të rëndë brenda partive. Dhe e keqja e të dyjave, është se nuk kanë kurrfarë programi politik dhe punojnë përmes një metodologjie të vrazhdë qeverisëse që mësyn krijimin e një rrjete sa më të gjerë e sa më të fortë klienteliste. Gjë e cila përkthehet pastaj në pushtet dhe në raporte dominimi.

Në PDK dhe AAK ka vetëm heshtje dhe dremitje politike. Ato që gjallojnë janë vetëm interesat ekonomike, dhe lufta që bëhet në parti është vetëm për të përfituar ekonomikisht dhe për të marrë një pozicion sa më të mirë social. Për rrjedhë, lufta bëhet vetëm sa për të marrë një pozitë sa më të mirë prej servili. Një pozitë sa më të mirë për t’iu shërbyer krerëve/kreut. Por jo për t’iu marrë vendin.

Në LDK megjithatë ka luftë. Vdekja e Rugovës, i cili kundrohej si i paprekshëm, i dha frymëmarrje demokracisë së brendshme të saj. Sepse, përveç Rugovës, secili prej tyre ishte i papërkyer, i zëvendësueshëm e i dobët. Procedurat demokratike shpesh është dëshmuar se shërbejnë vetëm si mbulim i formave jodemokratike të qeverisjes. Procedurat demokratike shërbejnë pra vetëm si farsë në të mirë të liderëve autoritarë. Pjesa e madhe e kohës e kaluar në opozitë në nivelin qëndror i ka shërbyer LDK-së poashtu që të rris luftën e brendshme politike. Dhe pikërisht lufta, e përhershme dhe drobitëse, e ka kuruar traumën e LDK-së.

Por çështja është: kujt i shërben kjo parti politike? Çfarë programi politik ofron? Dhe këtu ne shohim brishtësitë e demokracisë së saj. Edhe më tej nuk ka mjaftueshëm ambicje dhe mjaftueshëm luftë për pushtet, sa të kalohet në nivelin e krijimit të programeve, e dallimit në programe, e një sofistikimi të kësaj lufte. Ende nuk ka një përpjekje që të binden njerëzit brenda partisë me vargonj të ideve, dhe kjo prodhon rrezikun që lufta për pushtet të mos zhvendoset në rrafshin e ideve, siç do të duhej, por të mbetet në rrafshin fizik, në dhunë e përleshje.

Padyshim, LDK do të ofronte qeverisje më të mirë se PDK-ja dhe AAK-ja. E para, sepse ka më shumë njerëz kompetentë brenda partisë, e dyta, sepse e ka zbehur elementin e fisnorizmit dhe klientelizmit thjesht duke qenë në opozitë dhe e treta, sepse në brendi nuk ka një nënrendim qorr të anëtarëve ndaj liderit, domethënë ka luftë, demokraci.

Mirëpo, LDK-ja nuk do të ofrojë alternativë thelbësisht të ndryshme qeverisëse, një program thelbësisht të ndryshëm politik, të tillë që i vyen dëshpërimisht Kosovës. Asnjëri prej kandidatëve potencialë për të marrë kreun e partisë nuk njihet për ofrimin e ndonjë programi të ndryshëm politik, për trasimin e një kursi të ri, e as për një kritikë përmbajtësore ndaj rrjedhës së deritashme. LDK-ja, nuk do të hapë hetim për privatizimet, do të tolerojë korrupsionin dhe një mori dukurish të këqija, nuk do të krijojë vende pune dhe nuk do të rris funksionalitetin e mekanizmave të shtetit. E vetmja e mirë që mund të bëj, është të mos përzihet aq shumë sa PDK-ja në zhvillimin ekonomik të vendit, i cili ndodh pavarësisht se çka ngjan në skenën politike. Pra, LDK-ja thjesht duhet të mos e pengojë atë. Por, demokracia e brendshme e kësaj partie, ani pse në një masë të kënaqshme [për rrethanat tona] funksionale, bëhet në këtë mënyrë krejt e padobishme.

Ambicjet politike janë shumë të rëndësishme në politikë. Njerëzit që hyjnë në politikë, duhet t’i pranojnë hapur dhe vetëm në këtë mënyrë, të modelojnë bashkërisht rregullat e luftës për pushtet. Dhe si pjesë e kësaj lufte për pushtet, një armë mosvet e rëndësishme do të ishte programi politik, një program i hartuar detajisht dhe i prezantuar me thjeshtësi. Një program për të cilin do t’ia vlente të hidhje karrigen mbi kryet e kundërshtarit. Por deri më tash, armët për luftën demokratike në partinë e udhëhequr nga Isë Mustafa janë të pasofistikuara. Nuk mjafton thjesht: “Unë kam fituar pa balotazh, unë kam qeverisur mirë” e bllah bllah bllah të ngjashme. Kjo nuk mjafton. Dhe duke qenë të gjithë të dobët, thuaj barazisht të dobët, kjo e bën vetë demokracinë një gjë të keqe. E prandaj, ajo që duhet të bëhet me domosdoshmëri është të bëjmë një hop të madh vetëdijësor dhe të pranojmë luftën si një pashmangshmëri. Dhe nga kjo bazë, të vendoset një set i caktuar normash që do të bënte funksionalizimin e saj.

Shpërndaje në: