LDK-ja reagon pasi VV-ja u ankua në PZAP: Përpjekja e tyre, akt i rrezikshëm ndaj integritetit të zgjedhjeve

LDK-ja reagon pasi VV-ja u ankua në PZAP: Përpjekja e tyre, akt i rrezikshëm ndaj integritetit të zgjedhjeve

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi Lëvizja Vetëvendosje u ankua  në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa duke kërkuar anulimin e afro 19 mijë votave me postë të LDK-së, rivotimin sa i përket votimit me postë dhe ndalimin e kandidimit të kandidatëve që kanë manipuluar.

LDK-ja ka thënë se kjo ankesë e VV-së vjen vetëm pasi nuk e pëlqen rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit

“Kjo përpjekje për të cenuar vullnetin e lirë të votuesve tanë në mërgatë përbën një akt të rrezikshëm ndaj integritetit demokratik të procesit zgjedhor. Pikërisht përfaqësuesit politikë të kësaj partie, të emëruar nëpër ambasada dhe konsullata, janë ata që kanë ndërhyrë dhe manipuluar votat e diasporës në zyra e korridore. Mbi 1.600 fletëvotime të kësaj partie, të printuara me të njëjtat gabime teknike, dëshmojnë qartë një manipulim të organizuar. Për më tepër, ka prova të shumta mbi vetë-inkriminimin publik të aktivistëve të Vetëvendosjes në mbushjen masive të fletëvotimeve të mërgatës. Nëse duhet të shqyrtohet anulimi i ndonjë vote për shkak të parregullsive, pikërisht këto raste duhet të jenë objekt i një hetimi të plotë dhe të paanshëm”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK-ja tha se “është paradoksale dhe thellësisht hipokrite” që kjo kërkesë për anulimin e votave të mërgatës të vijë pikërisht nga Vetëvendosje.

“Një subjekt politik që në zgjedhjet e vitit 2019 pati mbrojtur mbi 4.000 zarfe të ardhura nga ‘mërgata’ serbe, duke kërkuar në Gjykatën Supreme që ato vota të pranoheshin si të rregullta. E njëjta parti sot kërkon anulimin e votave të diasporës shqiptare – natyrisht, vetëm atyre që janë në favor të LDK-së – dhe, njëkohësisht, synon të ndalojë kandidimin për deputet të z. Hysen Çekaj, djalit të heroit të kombit, Sali Çekaj”, thuhet në reagimin.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do t’i përdorë të gjitha mjetet demokratike për ta mbrojtur integritetin e votës së saj, brenda dhe jashtë vendit.

“Nuk do të lejojmë që vullneti politik dhe demokratik i mërgatës sonë të cenohet sa herë që rezultati zgjedhor nuk përputhet me interesat e Vetëvendosjes”, thuhet në reagim.

Shpërndaje në: