LDK-ja akuzon kryetarin e Gjilanit se kurdisi një konkurs: U përfshinë edhe deputetë të VV-së
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan mbajti të shtunën një konferencë për media, në të cilën e akuzoi kryetarin e komunës, Alban Hysenin e Lëvizjes Vetëvendosje se po e kurdis një konkurs të fundit në Drejtorinë e Arsimit.
LDK-ja thotë se ata që përfituan nga ky konkurs janë të gjithë familjarë të pushtetarëve.
“LDK me kohë ka paralajmëruar për kurdisjet që po i bënë Hyseni i VV-së në konkursin e fundit në Drejtorinë e Arsimit, proces në të cilin janë përfshirë edhe deputetë të kësaj partie e drejtori i DKA-së. Kjo çfarë ka bërë Alban Hyseni në këtë konkurs, i humb shpresën çdo të riu e të reje se mund të punësohen pa qenë pjesë e partisë në tyre, dhe jo vetem kaq. Duhet të jesh kunatë, balldeskë, kusheri apo shofer i kryetarit Alban Hyseni, deputetes Arjeta Rexhepi dhe deputetit Luan Aliu, si dhe drejtorit të Arsimit, Shpend Nuhiu. Nuk duhet ta harrojmë premtimin e krerëve të kësaj partie me termin se në qeverisjen e tyre do të vije “Era Shtet”, ndërkohë që e bënë pikërisht të kundërtën, duke shkelur me dy këmbët barazinë në punësim e konkurrencën”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Dega e LDK-së në Gjilan ka paralajmëruar se “nëse me këtë konkurs nuk merren organet e drejtësisë, për të shpërfaqur të gjitha parregullsitë në tërësinë e tij, pergjatë të cilit gjejmë parregullsi dhe shkelje të të gjitha neneve të UA për rekrutimin e mësimdhënsëve” atëherë “sistemi arsimor në Gjilan me këtë konkurs, do të shënojë degradimin më të madh në historinë e arsimit në Gjilan”.