Lazio mposhtet edhe nga Bologna
Disfata në ndeshjen e parë të 1/8-ave të Championsit ndaj Bayern Munich la me pasoja Lazion që pësoi një tjetër humbje këtë herë në kampionat me skuadrën e Simone Inzaghit që u mposht me rezultatin 2-0 nga Bologna.
Në Dall’Ara Lazio kishte shansin e artë për të kaluar në epërsi pas 17 minutash me Ciro Immobilen por sulmuesi i bardhekaltërve gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.
Po nuk shënove do të pësosh thotë ligji i pashkruar i futbollit dhe 2 minuta më pas, Lazio e pësoi me Ibrahima Mbaye që kaloi në epërsi Bolognan.
Në pjesën e dytë në momentin më të mirë të Lazios, kuqeblutë shënuan edhe golin e dytë me Sansonen duke marrë një fitore me shumë vlera.
Me këtë sukses Bologna u ngjit në kuotën e 28 pikëve, ndërkohë që Lazio nuk mundi të ngjitej në 4-shen e parë duke mbetur në vendin e 6-të me 43 pikë.
Në sfidën tjetër të së shtunës falë një dygolëshi të Gyasi në pjesën e dytë, Spezia arriti t’i hiqte fitoren nga duart Parmës, me ndeshjen që u mbyll në barazim 2-2.