Lazio merr fitore të lehtë ndaj Salernitana, Napoli ndalet nga Verona
Napoli ka bërë një hap fals, duke luajtur baras me Veronan, derisa Lazio ka shënuar fitore të lehtë ndaj Salernitana.
Skuadra e Amir Rrahmanit, si lidere e tabelës në kampionatin italian, ka luajtur 1:1 në shtëpi kundër Veronas, shkruan Periskopi. Ndonëse në këtë ndeshje shiheshin si skuadër favorite, ata nuk arritën më shumë sesa një pikë.
Golin e parë në këtë ndeshje e gjeti Verona, me anë të Simeone në minutën e 13’, kurse Di Lorenzo barazoi pesë minuta më vonë dhe vulosi rezultatin e takimit.
Verona mbeti me 9 lojtarë, pasi në minutën e 88′ Bessa u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, kurse Kalinic njësoj doli nga loja në minutën e 93′, por kjo nuk ndryshoi asgjë në rezultat deri në fundin e takimit.
Lazio në anën tjetër fitoi 3:0, duke i dhënë leksione skuadrës së Salernitana.
Immobile dhe Pedro shënuan në minutat 31’ e 36’ për epërsinë e dyfishtë në pjesën e parë, shkruan Periskopi. Në pjesën e dy të Lazio gjeti edhe një gol me anë të Luis Alberto, në minutën e 69’ për të vulosur tri pikët me 3:0.
Tani, Lazio numëron 21 pikë në pozitën e pestë, kurse Napoli ka 32 pikë në pozitën e parë, por mund ta humb këtë pozitë nëse Milan fiton ndaj Inter sonte. Verona numëron 16 pikë, ndërsa Salernitana mbetet me shtatë pikë./ Periskopi/