Lavrov kundërshton presidentin Trump për trupa paqeruajtëse evropiane në Ukrainë

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka kundërshtuar dislokimin e trupave paqeruajtëse evropiane në Ukrainë. Lavrov e ka cilësuar këtë ide si një përpjekje për të “nxitur më tej konfliktin”. Gjatë një konference për shtyp në Katar, Lavrov i cilësoi deklaratat si manovra për të dërguar më shumë armë në Kiev.
Reagimi i kryediplomatit rus vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump tha të martën se pas një marrëveshjeje paqeje mund të ishte e nevojshme “një formë paqeruajtjeje” në Ukrainë. Të hënën, Trump deklaroi se Moska ishte e hapur për pranimin e paqeruajtësve evropianë, por deklarata u përjashtuan nga kryedplomati rus, euronews.
Lavrov përjashtoi çdo mundësi për ngrirjen e konfliktit në vijën aktuale të frontit, duke nënvizuar se forcat ruse do të vijojnë luftimet derisa të marrin nën kontroll të katër rajonet ukrainase që Moska i ka shpallur si pjesë të saj.
“Disa sugjerojnë ta lëmë vijën e frontit aty ku është, duke ndarë zonat në ruse dhe ukrainase. Kjo nuk do të ndodhë. Ne kemi një kushtetutë të bazuar në vullnetin e popullit,” deklaroi Lavrov.
Moska e konsideron Donetskun, Luhanskun, Khersonin dhe Zaporizhzhian si territore ruse, pavarësisht se nuk i ka nën kontroll të plotë.