Lauka: Tirana s’ka unitet për çështjen e kufijve të Kosovës

Periskopi.com Intervista

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, shprehet se debati për korrigjim të kufijve mes Kosovës e Serbisë hap debatin për statusin e Kosovës.

Në një intervistë për News24, Lauka kritikoi edhe qëndrimin e Tiranës zyrtare, për të cilin u shpreh se nuk ka unitet.

“Vetë hapja e këtij debati është kritik. Ky debat nuk duhej të hapej, edhe nëse dikush do përpiqej ta hapte, ne Kosova, institucionet zyrtare, Presidenti në radhë të parë që është iniciatori kryesor i kësaj hapjes së çështjes së kufijve duhet të përpiqej ti shmangej me të gjitha mundësitë që ka. Dhe ne Shqipëria duhet ta ndihmonim që ti shmangej. Pse? Sepse në gjykimin tim, çështjet territoriale janë çështje shumë të mprehta, shumë të rëndësishme, dhe është vështirë ti përballojnë shtete të konsoliduara, jo më Kosova që është me institucione të brishta të paqëndrueshme. Por kryesorja sipas mendimit tim, Kosova është e papërgatitur tani për të përballuar një agravim të tillë. Hapja e çështjes së kufijve për mua është hapje e çështjes së statusit të Kosovës. Ne kemi menduar që me ndërhyrjen e NATO-s dhe me shpalljen e pavarësisë, u mbyll çështja, por janë disa të tjerë, disa kryeqytete të tjera si Beogradi dhe Moska që këtë çështje e kanë konsideruar gjithnjë të hapur, dhe ne me këtë që po bëjmë në fakt po çojmë ujë në mullirin e tyre. Dhe po themi jo nuk është e mbyllur është e hapur çështja kryesore e kufijve. Jemi gati të diskutojmë. Për mua që me këtë, është e destabilizuar situata në Kosovë”, tha Lauka.

N24: Si ish ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, si e shihni qëndrimin e Tiranës zyrtare lidhur me çështjen e kufijve?

Lauka: Tirana zyrtare nuk është unike, në qëndrimin zyrtar. Sepse në rast se i referohemi presidentit Meta, ai ka një qëndrim të prerë, të qartë kundër ndryshimeve territoriale. Sipas tij, çështja e Kosovës është e mbyllur. Por, Putini dhe më konkretisht Edi Rama, i fut edhe pak mish dhie, në gjuhën popullore. Ai nuk ka dal hapur në mbrojtje të kësaj teze por, në fjalimet e tij shpesh lavdëron autorët dhe mbështetësit e kësaj teze. Dhe së fundi, ju e dini me 26 nëntor, tha që kush e kritikon Thaçin është tradhtar. Kjo nuk do më koment. Le për vrazhdësinë e shprehjes, se të kritikosh Thaçin nuk është as tradhtar e as gomar tjetri, në një kohë që përball kishte kryeministrin e Kosovës, që është kundërshtari numër një i idesë së ndryshimeve territoriale. Sepse Ramush Haradinaj thotë nëse futet kjo tezë, kufijtë vihen me luftë e ndryshohen me luftë. Unë mbështes qëndrimin parimor të presidentit dhe natyrisht që jam kundër qëndrimit të Edi Ramës. Tirana zyrtare e pakta që duhet të bëjë është t’i bëjë thirrje partive politike në Kosovë të shkojnë për një fjalë, që duhet të mbrohen kufijtë ekzistues, të njohur ndërkombëtarisht, të Kosovës.

N24: Po qëndrimi i Vuçiqit, lidhur me vizitën e tij në SHBA që nuk e përmendi këtë pjesë. . .

Lauka: Halli i Serbisë për publikun është që Kosova u humb në ’99 me shpalljen e pavarësisë akoma më shume dhe Serbisë i iku fytyra. Tani Serbia, Beogradi thotë unë kam një kusht, që ta njoh si shtet të pavarur, dua të shpërblehem me diçka, për fytyrë në Botë të marr diçka, dhe këtë e ka konkretizuar. I ka vënë emrin e Veriut në lumin Ibër e sipër, këtë ma jepni mua thotë dhe pastaj unë do t’ju njoh. Plus kësaj ka edhe një kusht tjetër që është fiksuar nga BE, që nuk Serbia nuk anëtarësohet në BE pa normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. Dhe Vuçiqi prapë thotë unë i normalizoj por më jepni diçka, se nuk kam fytyrë ti dal popullit me humbje. Kjo është logjika. Mesa gjykoj unë e vërteta është diku tjetër. Vuçiqi dhe Beogradi e ka hallin te pasuritë e mbi tokës dhe të nëntokës së Veriut. Pjesa mbi lumin Ibër është një ndër kolonat më të fuqishme ekonomikisht, është Ujmani, Kopaoniku që po i kaloi Serbisë, Kosova mbetet zbuluar.

N24: Në radhët e qytetarëve si po përjetohet ky debat?

Lauka: Unë jetoj në Kosovë, me aq sa e njoh unë opinionin këtu, kjo çështje ka hapur shumë probleme. Dhe është një ndër të këqijat e mëdha, që Thaçi ka sjellë. Opinioni këtu e dënon dhe është kundër kësaj teze. Të gjithë mendojnë se kjo tokë është e larë me gjak, dhe ta nxjerrësh në pazar për interesa të Thaçit, kjo s’mund të vlerësohet pozitivisht. Por ka krijuar përçarje edhe mes popullit të Kosovës dhe Luginës se Preshevës. Ka krijuar një gjendje pritshmërie te ata, janë me mendje të ngritur, kur po bashkohemi si po bashkohemi… është kollaj të thuash shkëmbim territoresh, po ai shkëmbim implikon fate njerëzish. Kosova nuk ka këllqe të durojë probleme shtesë, sepse edhe tani ka mjaft probleme. Detyra e Kosovës është të mbrojmë atë që kemi, me hy në luftë territoriale sot është me rrezik dhe Kosova nuk del e fituar. I fituar del Beogradi, sepse na vjen apo jo ne mirë sot është në avantazh me Kosovën.

Shpërndaje në: