Latifi: Dikur baballarët puthnin NATO’n, sot bijtë e nipat lëshojnë mjekrra dhe shajnë e pshtyjnë Amerikën e Perëndimin

Filozofi dhe analisti i njohur politik, Blerim Latifi, ka folur për 26-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s që i dha shtysë çlirimit të Kosovës në vitin 1999.
Latifi solli një kontrast të thellë midis asaj kohe dhe ditës së sotme, duke thënë se bijtë dhe nipat e gjeneratës që e përjetoi atë kohë, nuk janë mirënjohës ndaj NATO-s.
“26 vjet më parë baballarët me lotë në sy puthnin emblemën e NATO’s, e cila po i shpëtonte nga gjenocidi. Sot bijtë e nipat e tyre kanë lëshuar mjekrrat vahabiste dhe nga mëngjesi në darkë shajnë e pshtyjnë NATO’n, Amerikën, Perëndimin. Për llogari të Hamasit, ISIS’it’, të majtës antikapitaliste, të dreqit e t’birit”, shkroi Latifi në Facebook, transmeton Periskopi.
Në fund, ai tha se mjafton një gjeneratë e keqe për të shkatërruar gjithçka të mirë.
“Dikush një herë ka thënë: mjafton një brez i keq për ta shkatërruar atë që është ndërtuar me mundin e shumë brezave. Kjo thënie e përshkruan saktë katastrofën e sotme morale të shoqërisë sonë”, përfundoi Latifi.