Laporta flet për Messin, lajm i mirë për “Blaugranët”
Lidhja mes Lionel Messit dhe Barcelonës do të jetë gjithmonë e veçantë, pavarësisht se ylli argjentinas momentalisht mbron ngjyrat e gjigantit francez, Paris Saint-Germain.
Messi kaloi në formën e lojtarit të lirë nga Barça te PSG, pasi që gjiganti katalunas nuk mund të përballonte pagën e lartë të tij, përcjell KosovaPress.
Që prej largimit nga “Camp Nou”, pyetja më e shpeshtë për presidentin e klubit, Joan Laporta, ka qenë nëse Barcelona do të mund të rikthente në skuadër Messin.
Tani, Laporta ka treguar se si ndjehet ndaj Messit, ku tregoi se qëllimi i klubit është që ta rikthej yllin argjentinas edhe për një aventurë të fundit në La Liga.
“Ndjehem borxhli ndaj Lionel Messit. Do të dëshiroja me çdo kusht që fundi i karrierës së tij të jetë te Barcelona me një pritje madhështore në çdo stadium të mundshëm. Unë mendoj se ne mund ta bëjmë këtë gjë”, tha Laporta.
“Ky është synimi jonë si klub, qëllimi im me Messin është i qartë”, shtoi më tej presidenti i Barcelonës.
Gjatë karrierës së tij me Barcelonën, Lionel Messi arriti të bëjë 776 paraqitje në të gjitha garat duke regjistruar 670 gola dhe 302 asistime mbi emrin e tij.