Lajmi i rremë kundër Periskopit: Rilind Gërvalla implikon edhe më thellë AKI-në, thotë se do t’i sjellë para bordit dy agjentët (audio-inçizim)

Lajmi i rremë kundër Periskopit: Rilind Gërvalla implikon edhe më thellë AKI-në, thotë se do t’i sjellë para bordit dy agjentët (audio-inçizim)

Rilind Gërvalla ishte në dijeni se mbledhja e jashtëzakonshme e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) po incizohej. Audio-incizimi i përket mbledhjes së bordit. Në pjesën e dytë të audio-incizimit të publikuar nga Paparaci, drejtori i televizionit publik u premton anëtarëve të bordit që do t’i sjellë për sqarime para tyre dy agjentët e AKI-së.

Pjesa e dytë e audio-incizimit të mbledhjes së Bordit të RTK-së, dëshmon sesi Rilind Gërvalla flet padoreza për koordinimin e tij me zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Audio-incizimi i përket mbledhjes së jashtëzakonshme të Bordit të transmetuesit publik, të mbajtur më 23 korrik të këtij viti.

Drejtori i televizionit publik shpreh gatishmërinë e tij që të implikojë edhe më thellë në aferë zyrtarët e AKI-së, me të cilët është koordinuar për “verifikimin e informatave” rreth skandalit të portalit boshnjak “Slobodna Bosna”.

“Krejt çka kam bërë është në mënyrë zyrtare, asnjë gjë nuk është bërë në mënyrë shoqërore ose ëë.. natyrisht, këta persona kur të kthehen prej atij seminarit, apo kurdo që kanë qenë ata janë të gatshëm me ofru shpjegime edhe më të hollësishme për çkado që ju intereson juve”, deklaron Gërvalla në mbledhjen e bordit.

Të hënën është publikuar edhe pjesa e parë e audio-incizimit, në të cilin Gërvalla ka pohuar se lajmi për kinse financimin e dy mediave kosovare nga pushteti i Aleksandar Vuçiqit, është përkthyer dhe botuar nga RTK-ja pas konsultimit me një zyrtar të AKI-së.

Ky agjent i AKI-së asokohe supozohet se ndodhej në Bosnjë e Hercegovinë, sipas rrëfimit të Gërvallës para bordit.

Gërvalla e citon zyrtarin përgjegjës për “seksionin e mediave” në AKI, t’i ketë thënë atij se “lajmi po diskutohet shumë këtu [në Bosnjë e Hercegovinë, v.j]”.

Në një reagim ndaj publikimit të Paparacit të martën, Gërvalla e mohoi ta ketë marrë lajmin nga AKI-ja. Tha se lajmi ka qenë publik.

Gërvalla, po ashtu tha se deklarata e tij është nxjerrë nga një audio-incizim i paautorizuar.

“Njerëz jemi dhe gabojmë, e si te mos gabohet kur thirresh nga nje pjese e Bordit, mbi kater here brenda pak oresh, si para Prokurorise, per nje ceshtje qe baze ka patur parimin e citimit, e tani e gjitha po del se ai presion mbi mua paska qene qe te regjistrohet pa autorizim nje deklarate e imja nen presion”, tha Gërvalla në një reagim me shkrim të publikuar në rrjetin social Facebook.

Mirëpo, audio-incizimi e demanton Gërvallën. Ai e pranon vet gjatë deklarimit të tij në mbledhjen e bordit se mbledhja po incizohej.

“Ju jeni duke regjistruar edhe unë mundem me e thënë këtë dhe unë mund të ju tregoj saktësisht do të thotë, personi i cili është i përfshirë… Prandaj po them, nëse keni mundësi mos të përmendim emra për shkakun sepse ata e dinë saktë.. është me rëndësi emrat, sepse ai person që është i përfshirë në këtë katrahurë e këtu, është person i cili është përfshirë në të gjitha debatet e RTK-së përpara, ka qenë figurë analitike mbi çështjet e sigurisë dhe prej ardhjes time, ai person nuk lypë aty asnjë gjë. Prandaj nëse doni, edhe detajet ua japë. Këto detaje i kam shpërnda edhe me drejtorin gjeneral”, thotë Gërvalla.

Bordi i RTK-së ftoi mbledhje të jashtëzakonshme më 23 korrik, një ditë pas botimit të lajmit kundër dy mediumeve kosovare, Nacionale dhe Periskopi.

Disa ditë më vonë, në një klimë të trazuar pas ngjarjes, tre anëtarët e bordit: Besnik Boletini, Arta Berisha dhe Safet Kabashaj ofruan dorëheqje nga pozitat e tyre brenda bordit. Ata shprehën kundërshtimin e ashpër të tyre për botimin e lajmit.

Kurse, anëtarët e tjerë u rreshtuan krah pushtetit dhe e morën në mbrojtje drejtorin Gërvalla.

Shpërndaje në: