Lajçak: Integrimi i Ballkanit Perëndimor mund të harrohet nëse s’ka rezultate në dialogun Prishtinë-Beograd

Lajçak: Integrimi i Ballkanit Perëndimor mund të harrohet nëse s’ka rezultate në dialogun Prishtinë-Beograd

Miroslav Lajçak, përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, theksoi nevojën urgjente për zgjidhjen e dialogut të vazhdueshëm ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Lajçak paralajmëroi se pa adresuar këtë çështje, mund të rrezikohet integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke prekur jo vetëm Serbinë dhe Kosovën, por të gjithë rajonin.

“Nëse nuk e zgjidhim çështjen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, mund të harrojmë integrimin e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm të Serbisë dhe Kosovës. Mendoj se arritëm të bëjmë më të mirën e mundshme me marrëveshjen për normalizim që u miratua vitin e kaluar në Ohër, por ajo nuk u zbatua kurrë”, tha Lajçak gjatë konferencës rajonale të sigurisë GLOBSEC në Pragë.

Ai përmendi zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë në shkurt, duke paralajmëruar se do të ishte naive të priten ndryshime të rëndësishme para zgjedhjeve.

“Megjithatë, mungon vullneti politik dhe shoqëria nuk është e gatshme për këtë. Përveç kësaj, në shkurt do të kemi zgjedhje parlamentare në Kosovë, prandaj është naive të presim një kthesë para zgjedhjeve. Por ne duhet të shohim një ndryshim të rëndësishëm në zbatim menjëherë pas zgjedhjeve”, tha ai.

Shpërndaje në: