Ky është vendimi i Gjykatës për të dyshuarit për vrasjen e vëllezërve në Malishevë

Periskopi.com Lajme

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka vazhduar masën e paraburgimit për dy të dyshuarit në lidhje me vrasjen e kryer para një muaji në Plloqicë të Malishevës, ku dy vëllezër Shani dhe Bahri Maloku mbetën të vrarë.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Agron Matjani ka thënë se masa e paraburgimit i është vazhduar të dyshuarve edhe për dy muaj tjerë.

Matjani ka thënë se hetimet janë duke vazhduar në mënyrë intensive dhe shumë dëshmitarë po merren në pyetje lidhur me rastin.

“Ne kemi bërë kërkesë që të vazhdohet edhe për dy muaj masa e paraburgimit për dy të dyshuarit. Gjykata tashmë i ka vazhduar masën. Është rast i ndjeshëm, hetimet janë duke vazhduar në mënyrë intensive. Janë duke u marr dëshmitarë në pyetje”, ka thënë ai për Indeksonline.

Dy të dyshuarit Blerim dhe Besim Maloku janë marr në pyetje për rastin, por ata kanë kundërshtuar se kanë gisht në të.

Sipas dëshmive të para, vëllezërit Maloku janë vrarë në përpjekje për të parandaluar vjedhjen e bagëtive në oborrin e tyre.

Të dy vëllezërit Maloku të vrarë kanë qenë të martuar. Shaniu ka lënë gruan me katër fëmijë, ndërsa Bahriu ka lënë gruan dhe dy fëmijë.