Ky është mashtrimi më i madh në historinë e Kosovës së pasluftës

Ky është mashtrimi më i madh në historinë e Kosovës së pasluftës

U bënë dymbëdhjetë vjet që ne jetojmë brenda një rrene të pakulluar që tashmë ka filluar të pikojë ndyrësinë e saj. Para dymbëdhjetë vitesh e shpallëm pavarësinë njëanshëm nga Serbia dhe festuam me mendimin e gabuar se ajo ditë i kishte dhënë fund bezdisë lodhëse që na e shkaktonte Serbia. Ajo eufori e ndërtoi banalçe të vërtetën e rreme për ne, sipas së cilës ne ishim çliruar e pavarësuar përfundimisht.

Para dhjetë vitesh ndërkohë u paralajmërua nisja e negociatave të reja për statusin politik të Kosovës. Pushteti i atëhershëm i ndodhur – mesa duket sinqerisht – brenda asaj euforie nuk e pranoi se një gjë e tillë mund të ndodhte dhe i klasifikoi negociatat si thjesht teknike. Ndërkohë që opozita (VV) shkroi parulla nëpër mure kundër negociatave dhe bëri protesta masive duke na e thënë të vërtetën fragmentare: se ato ishin politike. E vërteta e plotë ishte se ato negociata për statusin politik të Kosovës ishin të domosdoshme, dhe këtë e kuptojmë edhe nga realiteti i hidhur që po na zgjon dalëngadalë nga deluzioni: Vetëvendosje, në atë botë kundërshtuese e ashpër e negociatave, tashmë i ka hyrë vetë kësaj pune madje duke qenë e detyruar edhe që ta bindë Serbinë që të kthehet në tavolinën e negociatave.

Pra, e gjithë drama që u luajt për disa vite rresht, e ku nuk munguan as të sharat e rënda dhe fëlliqja e sferës publike, ishin krejt të rreme. Pushteti gënjeu se negociatat nuk do të ishin edhe politike duke qenë i ndrojtur të zbehte festën tonë, ndërsa opozita gënjeu se negociatat nuk do të duhej të ishin politike. Askush nuk mori përgjegjësi për këto rrena. As PDK-ja e pushtetit, e cila gënjeu ashiqare prej atëherë. Dhe as VV-ja e opozitës, e cila nënkuptohet që gënjeu retroaktivisht duke qenë se e ndryshoi qëndrimin radikalisht për temën sivjet. Edhe për VV-në, negociatat për statusin e Kosovës, njohja nga Serbia, është një domosdoshmëri tashmë. Fjalët helmuese që u derdhën pa kursim ndaj njëri-tjetrin vetëm sa jua rritën morrin të dyja palëve por neve na intoksikuan në atë masë sa nuk ndreqemi më. E Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli e Albin Kurti shpëtuan pa therë në këmbë.

Ndërkohë që rrebanët tanë llafazanë vazhdonin përplasjet e tyre, në skenën që ne s’e shihnim të zënë me atë që ndodhte poshtë skene po ngjitej një fjali tjetër e së vërtetës: pavarësia nga Serbia në mënyrë të njëanshme. Pra, pavarësinë e kishim shpallur nga Serbia dhe e bëmë njëanshëm. Kjo duhej të ndreqej dhe prandaj negociatat u bënë përvit e më të rëndësishme.

Mirëpo, kjo prapaskena banale e politikës tonë ditore nuk i mbajti konsistentë liderët tanë politikë. Vetëvendosje thotë se nuk duhet të ketë marrëveshje pa negociata (Negociata, Jo Vetëvendosje), merreni me mend, ndërkohë që Hashim Thaçi thotë se duhet të arrihet marrëveshja përfundimtare sa më shpejt (Jo Negociata, Vetëvendosje) dhe të votohet nga populli në referendum.

Në anën tjetër zhvillimet nuk ndalen. Kosovës po ia tërheqin njohjen e pavarësisë një varg shtetesh që po arsyetohen se “duhet ta presin marrëveshjen përfundimtare që del nga negociatat”. Por, ky është një proces që ka ndodhur me të gjithë. Në një formë, me futjen në negociata për status, edhe vetë shpallësi i Pavarësisë Hashim Thaçi e tërhoqi njohjen e Pavarësisë së Kosovës. E njëjtë bëri edhe Vetëvendosje me të gjitha partitë e tjera politike. Por, de fakto pavarësia na është çnjohur edhe nga Amerika dhe shtetet e tjera aleate që po ashtu po presin rezultatin përfundimtar nga marrëveshja me Serbinë.

Por, cila duhet të jetë marrëveshja përfundimtare me Serbinë? Nuk do të duhej të kishte nevojë për kurrfarë negociate dhe për kurrfarë kompromisi. Kosova duhet të njihet nga Serbia dhe të anëtarësohej më pas në OKB e në organizata tjera ndërkombëtare. Ky ishte normativiteti i rrenës së madhe të pavarësisë që na shkaktoi shumë dëme.

Kosova duhet të bëj kompromis me Serbinë dhe të arrijë marrëveshje përfundimtare që sjell njohjen. Mirëpo përtej kësaj, vepra (kompromisi) për herë të parë ndoshta është më pak e rëndësishme se sa autori (nënshkruesi, legjitimuesi i saj). Dhe në këtë pikë rikthehemi te kryeministri Albin Kurti. Sipas mendimit tim, popullariteti i madh dhe kredibiliteti i Kurtit mund ta shpëtojë Kosovën nga një gabim i madh e historik. Nuk ka rëndësi nëse është kompromisi A (Asociacioni i Kom. me shumicë serbe, e të cilën e preferoj më shumë nëse merren parasysh gjetjet e Gjykatës Kushtetuese) apo kompromisi B (korrigjimi), të dytë të dhimbshëm, por ka rëndësi që autor i këtij veprimi të jetë pikërisht nga Kurti. Dhe jo vetëm. Kësaj here, Kurti duhet të jetë i asistuar nga presidenti Thaçi – i cili megjithëse nuk ka aktualisht popullaritet shumë të madh – ruan potencë të madhe për destruktivitet (ashtu si Kurti, veçse më pak shkaku i kapitalit të harxhuar të ‘vlerave të luftës’) në të ardhmen nëse vendos që ta shohë marrëveshjen e nënshkruar nga Kurti si të dëmshme ashtu siç vendoste Kurti t’i shihte marrëveshjet e nënshkruara prej tij.

Kurti e Thaçi duhet të arrijnë marrëveshje. Nëse Kurti nuk është dakord atëherë duhet të ofrojë një ide tjetër për kompromis, ashtu siç e propozoi ministri i tij Blerim Reka korridorin për Serbinë në detin Adriatik.

Kosova e ka të domosdoshme të shoh të ardhme stabile politike edhe pas marrëveshjes me Serbinë. Dhe, stabiliteti politik besoj që rrezikohet më shumë nga rrebet e politikanëve tanë se sa nga kompromisi i mundshëm që do të kishte edhe mbështetje ndërkombëtare.

Dhe në fund, është e domosdoshme kërkim-falja për fëlliqjen e sferës publike nga partitë politike me rrena e ofendime. Është e domosdoshme sepse sfera publike e debatit është tepër e rëndësishme për shëndetin e demokracisë tonë për dekadat që vijnë. Ndoshta, shumë më e rëndësishme se krejt tenderët e vjedhur apo paratë e keqpërdorura këto 12 vjet. Në javët dhe muajt e fundit, asnjë grua nuk ishte e përfshirë në debatin publik për temën në fjalë apo tema të tjera. Pse? Nuk do shumë mend për ta kuptuar se askush nuk do që të denigrohet personalisht thjesht për ofrimin e qëndrimeve të saj.

Shpërndaje në: