Kuvendit Zgjedhor, gazetarët nuk lejohen të futen as në oborrin e FFK-së
Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës do të mbahet sot (e mërkurë) nga ora 11:00.
Kuvendi do të mbahet në ambientet e FFK-së.
FFK-ja ka njoftuar ditën e djeshme se vetëm një medium do të lejohet që të jetë i pranishëm në sallën ku do të mbahet Kuvendi, i cili do të transmetohet drejtpërdrejte në Art Motion dhe faqen zyrtare të federatës, gjë për të cilën ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke kërkuar që të lejohet edhe pjesëmarrja e mediave tjera.
Sot, gazetarët nuk janë lejuar të futen as në oborrin e FFK-së, ngjarje kjo që nuk është parë asnjëherë më parë.
Kujtojmë që Agim Ademi është kandidati i vetëm në garë për kryetar të FFK-së, pasi Gramoz Vokrri u eliminua nga kjo garë për shkak të disa nënshkrimeve të delegatëve të cilat ishin shpallur të pavlefshme nga FFK.
Vokrri kishte dërguar lëndën në Gjykatë, por kjo e fundit nuk ndryshoi asgjë nga vendimi fillestar i marrur nga institucioni më i lartë i futbollit tonë.