Kuvendi i Kosovës ka miratuar vetëm 1 për qind të agjendës legjislative të vitit 2024, kritikohet Vetëvendosja për efikasitet të dobët
Kuvendi i Kosovës gjatë sesionit pranveror ka miratuar vetëm 1 për qind të agjendës legjislative të vitit 2024.
Të zgjedhurit e popullit, veçmas mazhoranca po kritikohen për efikasitet të dobët të punës dhe dështim të mbikëqyrjes parlamentare. Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje arsyetohen se gjatë këtij viti kanë pasur problem me kuorumin, mirëpo fajtor i bëjnë edhe partitë opozitare.
Megjithatë, sipas tyre, kjo legjislaturë në tërësi ka miratuar rreth 254 ligje, që sipas tyre janë më shumë sesa legjislaturat paraprake.
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës(KDI), Arbër Thaçi thotë për KosovaPress se ky sesion ka qenë ndër më të dobëtit të legjislaturës së tetë në Kuvend.
Sipas tij, në tërësi në gjatë këtij sesioni, shumica parlamentare ka arritur t’i miratojë 35 projektligje, nga të cilat 20 janë marrëveshje ndërkombëtare dhe vetëm tri prej tyre janë pjesë e agjendës legjislative të vitit 2024
Monitoruesi i punës së Kuvendit shton se të zgjedhurit e popullit dështuan edhe në mbikëqyrjen parlamentare ndaj ekzekutivit por edhe agjencive të pavarura që zgjedhën nga Kuvendi.
Sfidat gjatë sesionit pranveror të Kuvendit i pranon edhe deputeti i LVV-së, Armend Muja, mirëpo shton se në tërësi gjatë mandatit të tyre janë miratuar ligje më shumë sesa në legjislaturat paraprake.
Kritika ndaj mazhorancës për dështim të përmbushjes së agjendës legjislative adresuan edhe partitë opozitare gjatë kësaj jave.
Kuvendi i Kosovës përmbylli sesionin pranveror më 31 korrik, ndërsa deputetët pritet të rikthehen nga pushimet në javën e dytë të muajt shtator.