“Kush të më ftojë, shkoj”: Gjini beson se përfundimisht Limaj s’shkon të negociojë me Kurtin

“Kush të më ftojë, shkoj”: Gjini beson se përfundimisht Limaj s’shkon të negociojë me Kurtin

Ndonëse me tone të kujdesshme, kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, nuk i interpretoi si pozitive qëndrimet e shprehura nga kreu i Nismës, Fatmir Limaj, në “Debat Plus”, rreth dy javë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Gjatë një interviste në emisionin “Rubikon”, Gjini theksoi se AAK mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për krijimin e një qeverie opozitare, duke akuzuar Limajn për krijimin e konfuzionit me deklaratat e tij.

“S’ka ndonjë luhatje në pozicion… do të jemi bashkë, mirëpo deklarata të tilla më të vërtetë shkaktojnë konfuzion. Çka po synon një grupim politik që ka garuar bashkë në zgjedhje? Po besoj që ka me qenë në rregull. Është e vërtetë që ato që i kemi thënë kanë qenë bindje, s’kanë qenë vetëm fushatë elektorale,” u shpreh Gjini.

Ndërkohë, deklarata e Limajt se “kush të më ftojë në tavolinë, unë shkoj e ulem” është parë nga Gjini si e paqartë dhe me mundësi të shumëfishta interpretimi.

Për Gjinin, ky nuk është momenti i duhur për qëndrime të paqarta. “Për mendimin tim, s’është as momenti as qasja e duhur, por me siguri zoti Limaj ka me pasë me sqaru për shkak se kjo që tha len edhe kuptime të dyfishta dhe nuk mund të interpretohet vetëm si ulje në tavolinë me Kurtin,” u shpreh ai.

Sipas tij, këto deklarata po krijojnë “mjegull” në opozitë, ndonëse ai beson se dakordimet mes AAK-së dhe Nismës para zgjedhjeve mbeten të pandryshuara.

“Do të mbetemi bashkë si grup në këtë fazë. Unë nuk mund t’i di detajet, njerëzit kanë mendime të ndryshme, por po besoj që nuk ka qenë as momenti as konteksti me i nxjerr tash ende pa u numëruar votat, ende pa u parë qasjet e partive politike,” tha ai.

Përfundimisht, Gjini tha se “nuk beson”“z. Limaj do të shkojë të negociojë me Albin Kurtin për të hyrë në koalicion”.

“Riciklimi i Kurtit është i rrezikshëm për Kosovën”

Në lidhje me mundësinë e një rikthimi të Albin Kurtit në qeveri, Gjini ishte kategorikisht kundër: “Ne mendojmë që një riciklim i Albin Kurtit në qeveri ka me i sjellë Kosovës dëme tashmë të pa riparueshme.”

Nga ana tjetër, kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, i cili më parë ka qenë një ndër kritikët më të mëdhenj të qeverisjes Kurti, ka befasuar opinionin me deklaratat e tij të fundit. Gjatë paraqitjes në “Debat Plus”, ai dha sinjale për një qasje më të hapur ndaj një bashkëqeverisjeje të mundshme me Vetëvendosjen.

Vetëm dy javë më parë, ai fliste për dallimin konceptual mes opozitës dhe Albin Kurtit, ndërsa tani thekson nevojën për “riparim marrëdhëniesh” dhe “ripozicionim të vendit.”

“Kjo na duhet, na duhet shpejt… riparim marrëdhëniesh, ripozicionim të vendit tonë, ne këtu bashkë të bashkohemi në tema nacionale. Shikoni, temat e mëdha, pozitë e opozitë, duhet të jenë në një tavolinë,” tha ai.

Shpërndaje në: